
Teksa pritet të nisë seanca maratonë me debat për çështjen McGonigal, deputetë e opozitës bëjnë lëvizjen e radhës.
Ata kanë kërkuar ndarjen e seancës maratonë, një pjesë do të jetë për mocionin me debat dhe pjesa tjetër për pyetje-përgjigje ndaj kryeministrit Edi Rama.
“Është një seancë e rëndësishme. Pritet të nis në orën 10:00. Do të zhvillohet interpelanca me kryeministrin Edi Rama dhe me pyetje-përgjigje. Një seancë ku do të flasin çdo deputet për 10 minuta. E përkthyer në 24 orë debat parlamentar.
Grupi parlamentar i PD-së e kryesuar nga Edi Paloka ka kërkuar ndryshimin e rendit të ditës. Duan të ndahet njëherë mocioni për debat dhe më pas seanca pyetje-përgjigje me Ramën. Bëhet fjalë për çështjen McGonigal. Është një taktikë e opozitës për të peshuar më shumë në këtë çështje dhe në thellimin e debatit.
Kreu i qeverisë pritet të mbërrijë në Kuvend. Në fillim të seancës pritet që deputetet e opozitës të marrin fjalën dhe të kërkojnë ndryshimin e rendit të ditës. Do prezantohet mendimi dhe më pas do të hidhet në votim kërkesa, me shumë gjasa do rrëzohet nga mazhoranca”, raportoi live gazetari Ergys Gjençaj.