Partizani do të përballet me Bate Borisov në turin e parë kualifikues të Champions League. Në një intervistë në faqen zyrtare të klubit, trajneri i të kuqve Zoran Zekic ka dhënë mendimin e tij për shortin.
“Nuk është se kemi shumë zgjedhje, vetëm duhet të presim. Duhet të kemi eksperiencë dhe më shumë kohë. Do të luajmë dy ndeshje në Champions League, kemi vetëm 20 ditë kohë për të përgatitur këto ndeshje. Tani do të fillojmë të mbledhim informacionin e nevojshëm për kundërshtarin. E dimë që është një skuadër e mirë. Aktualisht ata janë në aktivitet, pasi po luajnë në kampionat. Duhet të jemi të zgjuar dhe të kemi disiplinë dhe punë. Të kemi mbështjen e tifozerisë dhe të marrim energjinë e tyre për të bërë më të mirën e mundshme”, shprehet fillimisht Zekic që më pas flet për shanset e Partizanit për kualifikim.
“Sigurisht që duhet të mendojmë për ndeshjen e parë, por do të luajmë dy të tilla. Duhet të jemi vigjilent dhe të kemi përqendrimin e duhur. Shpresoj të jemi në formën tonë më të mirë. Jemi duke pritur edhe lojtarët që janë të impenjuar me ekipet Kombëtare. Unë shpresoj që ata të na bashkohen sa më shpejt këtu në fazën përgatitore në Pogradec.”
Çfarë mund të them? Nuk kishim zgjedhje për të menduar kundërshtarët. Çdo skuadër në këtë moment duhet të jetë e përgatitur dhe të jap gjithçka. Do të luajmë në Elbasan dhe jam i bindur që tifozët tanë do të na mbështesin, sikurse edhe erdhën në ndeshjen ndaj Sherif Tiraspol kur u përballa atëherë me Partizanin. Të bëjmë më të mirën të gjithë së bashku” – Tha ai.
()