“Hakmarrja serviret në pjatë të ftohtë”. Tirana i kthen reston Partizanit, duke siguruar titullin e 26- të kampion pikërisht me një fitore në derbi, ashtu siç bënë të kuqtë tri sezone më parë. Një situatë që nuk është kapërdirë dot nga ultrasit e kuq, të cilët në fund të ndeshjes kanë thyer ç’kanë gjetur përpara, duke u përplasur me policinë, teksa në krahun tjetër ultrasit bardheblu festonin me lojtarët e tyre në fushë.

Tensioni në tribuna u paralajmërua 10 minuta para mbylljes së sfidës, kur forcat e policisë rrethuan sektorin e tifozëve të Partizanit, duke siguruar portën e emergjencës, në mënyrë që të shmangin një përplasje midis tifozërive në fushë. Me të mbaruar sfida, ultrasit e kuq duan të hyjnë në fushë, por hasin në rezistencën e forcave të policisë, të cilët nuk lejojnë avancimin e tyre. Në këtë moment, një lumë karrigesh dhe kapsollash hidhen në fushë, ndërsa nuk mungojnë as përplasjet me policinë, e cila ndërhyn për të neutralizuar situatën.
Në fund ka edhe arrestime të disa prej tifozëve, ndërsa dëmet e shkaktuara nuk janë të pakta. Incidente pati edhe në tribunën përballë, aty ku tifozët e Partizanit me ata të Tiranës ndaheshin me vetëm një gardh hekuri, por për fat të mirë, nuk shkoi deri në atë pikë sa të kishte konfrontim fizik. Policia e Elbasanit njofton se në fund të sfidës janë arrestuar edhe dy shtetas. Përpos incidenteve në fund, dy tifozëritë dhuruan atmosferë elektrizuese, të cilat gjatë gjithë sfidës mbështetën skuadrën e tyre. Këto dhe momentet e tjera më pikante “Panorama Sport” i sjell për lexuesit e saj.
* “Fanatiksat” mbërrijnë të parët në stadium, ndryshe nga “Guerrilsat” që vendosën banerin e tyre identifikues vetëm pesë minuta para se të fillonte sfida.
* Dy trajnerët, Mehmeti dhe Shehi, iu përshtatën atmosferës së derbit. Tekniku i Partizanit mbante veshur poshtë kostumit një bluzë të klubit të tij, ndërsa ai i Tiranës ishte kombinuar me ngjyrat bardhë e blu.
* Trajneri i portierëve të Partizanit, Ilir Bozhiqi, pas përfundimit të nxehjes, takohet me Ilion Likën dhe për disa momente bisedojnë midis tyre.
* Tifozët e Tiranës ishin akomoduar në sektorin ku ishte edhe tabela elektronike dhe mundohen që për disa momente të bllokojnë logon e Partizanit. Mundohen, por nuk ia arrijnë dot dhe më pas heqin dorë.

* Ultrasit e kuq nisin me hedhjen e kapsollave në fushë, ndërsa pas shënimit të golit të Skukës heqin bluzat e tyre.
* Mehmeti tërbohet te rasti i humbur i Carës në fillim të ndeshjes, duke vendosur duart në kokë.
* H. Marku dhe Kallaku dalin menjëherë në nxehje pas minutës së 10-të, ndërsa Shehu si kundërpërgjigje nxjerr në nxehje tre lojtarë të tij.
* Hadroj i “fsheh” topin Toshevskit në një rivënie anësore, i cili nuk preferon t’ia japë pa u vendosur mirë skuadra e tij në fushë.
* Skuka shkon ta festojë golin e tij me ultrasit e kuq, duke hipur te hekurat. Njëri prej tyre ia del të zbresë në fushë dhe nga gëzimi e mban në qafë sulmuesin e kuq.
* Pas golit të pësuar, nxehet situata, aq sa Shehi heq xhaketën dhe qëndron vetëm me bluzë me mëngë të shkurtra.
* Në minutën e 24-t, Hamiti i kërkon kapitenit Alban Hoxha të qetësojë tifozët e kuq dhe të mos hedhin më kapsolla në fushë.
* Ashtu si Skuka, edhe Seferi shkon ta festojë golin me tifozët, por ndryshe nga sulmuesi i të kuqve, kryesori nuk nxjerr të verdhën për të. Moment ky që tërboi Olsi Ramën në tribunë, i cili e konsideroi si një standard të dyfishtë të gjyqtarit.

* Toli i Tiranës bie keq nga një përplasje në fushë dhe mbetet i shtrirë, i menjëhershëm ishte reagimi i mjekëve. Për t’u interesuar për gjendjen e tij shkon edhe ai i Partizanit, i cili ishte futur në fushë për të parë gjendjen e Hadrojit, por nga nxitimi i tepërt dhe fusha disi e lagur ai rrëshqet dhe bie.
* Totre shkon ta festojë golin me pankinën dhe gjatë momentit të festimit, Kristi Vangjelit i bien dosjet nga duart. Shkon Tefik Osmani t’i mbledhë, ndërsa më pas është vetë Vangjeli ai që i sistemon.
* Në minutën e 55-të ultrasit bardheblu ndezin flakadanët dhe për thuajse 5 minuta sfida u ndërpre, sepse një re tymi përfshiu gjithë fushën, duke e bërë të pamundur shikimin.
* Një tifoz bardheblu arrin t’u shpëtojë stjuardëve dhe futet në fushë për të nisur festën e tij. Për ta ndalur mendon Bitri, i cili si një mbrojtës, nuk e ka të vështirë ta ndalë, duke u mundësuar stjuardëve ta kapin e ta nxjerrin nga fusha.
* Pas minutës së 70-të është radha e “Fanatiksave” të heqin bluzat dhe të nisin festën, duke uruar ekipin kampion.
* Në momentin që bie bilbili dhe Tirana shpallet kampione, drejtori Tefik Osmani ulet në tokë duke iu falur Zotit, ndërkohë pas tij, duke ecur me shpinë, zyrtari i Tiranës, Eranjo Isaj, pengohet tek Osmani dhe bie në tokë.
* Në fund, ka lot gëzimi, ku bien në sy emocionet e Grent Halilit, ndërsa lojtarët i zhveshin, duke i lënë vetëm me mbathje. Ndërkohë, ovacione dhe fotografi me idhujt e tyre, teksa Shehin e ngrenë peshë tifozët e Tiranës, për të cilët hapen portat dhe të gjithë futen në fushë, duke festuar me idhujt e tyre titullin e 26-të kampion.

* Në festën e Tiranës nuk mungoi as deputeti i Elbasanit, Taulant Balla, i cili së bashku me presidentin Refik Halili hyri në dhomat e zhveshjes për t’i uruar për këtë sukses. Në një moment ai ngacmohet me shaka nga kapiteni Hoxhallari: “Sa mirë kur dehen me Tiranën tifozët e Partizanit”, u shpreh Hoxhallari, ndërsa edhe deputeti Balla e priti me humor dhe gjithçka u mbyll me një shtrëngim duarsh mes tyre.
* Në dhomat e zhveshjes, gjatë prononcimit pas ndeshjes, lojtarët e Tiranës i bëjnë dy herë dush me birrë trajnerit të tyre Orges Shehi në momentin që ishte duke folur.
* Gjatë festimit në dhomat e zhveshjes, lojtarët ia morën edhe valles, me këngën “Kush kërcen Napolonin”.
VLADIMIR MEMA-Arena e Lajmit
and then