Bylisi, i drejtuar nga trajneri Jeton Beqiri, e ka siguruar para kohe ngjitjen në Kategorinë Superiore dhe në dy javët e fundit të kampionatit u duhet vetëm 1 pikë që matematikisht të sigurojnë edhe titullin kampion.
Ky është dhe synimi kryesor i skuadrës së presidentit Besnik Kapllanaj. Natyrisht që një punë mjaft të mirë me skuadrën mallakastriote ka bërë edhe trajneri Jeton Beqiri, i cili duket se ka arritur që të përgatisë një grup shumë të mirë lojtarësh.
Bylisi u paraqit i gërshetuar me elementin e ri dhe të perspektivës me disa emra me eksperiencë, që deri më tani të gjithë së bashku kanë bërë shumë mirë.
Në prag të sfidës me Butrintin, e fundit për këtë sezon në Ballsh, trajneri i Bylisit është optimist, ashtu sikurse bën apel për kujdes ndaj sarandjotëve.
“Është një ndeshje që ka rëndësi shumë të madhe për ne, pasi matematikisht mund të shpallemi edhe kampionë, por edhe në fushën tonë të realizojmë një rekord, duke i fituar të gjitha sfidat.
Edhe një pikë na shpall kampionë sot, por duam që ta shfrytëzojmë sa më mirë këtë mundësi, për më tepër që luajmë para tifozëve tanë. Është një ndeshje me ngarkesë shumë të madhe dhe e vështirë për ne, sepse kundërshtari kërkon mbijetesën dhe këto ekipe të hapin shumë probleme.
Kështu që ne duhet që të jemi të kujdesshëm dhe të marrim maksimumin në shtëpinë tonë.
Bylisi bën llogaritë e veta dhe për këtë arsye duam që t’i bëjmë mirë ato dhe ta mbyllim në mënyrën më të mirë të mundshme sezonin në shtëpi dhe kampionatin në tërësi që dalëngadalë po i vjen edhe fundi”, u shpreh trajneri Jeton Beqiri për “Panorama Sport” në prag të sfidës me Butrintin, që luhet sot në orën 15:00 në “Adush Muça”.
– Arena e Lajmit
