Që prej mesditës së të shtunës së kaluar nuk ka asnjë gjurmë nga Ardit Beshiri. Dyshohet se pas çarjes së një rezervuari në afërsi të Klosit, i cili është krijuar për të filtruar ujërat që rrjedhin gjatë procesit të përpunimit të kromit, ai u rrëmbye me gjithë mjetin me të cilin po punonte.
Ndërkohë, gjatë këtyre ditëve forcat e kërkim-shpëtimit, forcat e armatosura, banorë të zonës e familjarë janë vënë në kërkim të 29-vjeçarit, por nuk ka asnjë rezultat. Kërkimet janë bërë që nga fundi i rrjedhës së përroit e cila është afër lumit Mat e në drejtim të Qaf Burrelit, ku dhe ndodhet fabrika e përpunimit të kromit.
Ndërsa këtë të Martë një mjet tip fadromë ka zbritur në përrua ku gjatë rrjedhës është ndaluar shumë rërë e që mendohet të jetë trupi i 29 vjeçarit.
Ndërkohë sot për të ndjekur nga afër përpjekjet për gjetjen e 29 vjeçarit ka mbërritur edhe kreu i emergjencave civile, Haki Çako.
“Shprehim ngushëllimet tona për familjen për humbjen e djalit të tyre. Janë angazhuar dhe vijojnë të punojnë intensivisht pothuajse të gjitha strukturat, njësitë e emergjencave civile, të bashkisë, të prefekturës dhe strukturave të tjera qendrore, në drejtimin e ekspertëve. Është një operacion jashtëzakonisht i vështirë, pasi shtrirja e kërkimeve shkon në 4-5 km. Do të vëmë në punë të gjitha kapacitetet deri në gjetjen e të riut
Të shtunën e 3 Majit 29 vjeçari Ardit Beshiri ka qenë duke punuar me eskavator, në stokun e fabrikës së përpunimit të kromit, e cila muajt e fundit shfrytëzohej nga një shoqëri kineze. Në rrethana ende të paqarta është çarë rezervuari dhe nga vërshimi i ujit dhe inerteve, i riu është rrëmbyer nga rrjedha bashkë me mjetin e tij.
(Enver Doçi/)