Në një deklaratë të fortë nga Tirana, gjatë vizitës së tij zyrtare në Shqipëri, Kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer, ka akuzuar drejtpërdrejt presidentin rus Vladimir Putin për pengimin e paqes në Ukrainë dhe për zvarritjen e një armëpushimi të mundshëm.
“Putini ishte agresori që në fillim dhe po i tërheq gjërat zvarrë. Ukraina ka qenë shumë e qartë për një armëpushim 30-ditor pa kushte, por është Putini ai që po krijon vonesa,” deklaroi Starmer.
Ai bëri thirrje për një unitet të të gjitha kombeve demokratike, duke kërkuar një qëndrim të përbashkët dhe të vendosur përballë taktikave të Kremlinit:
“Të gjitha kombet duhet të rreshtohen si aleatë për të siguruar armëpushimin. Nëse kjo sjellje e Putinit vazhdon, duhet të vendosen sanksione të reja ndaj Moskës,” theksoi ai.
Në të njëjtën konferencë, Kryeministri Edi Rama theksoi qëndrimin e pandryshuar të Shqipërisë në mbështetje të Ukrainës, duke kujtuar raportet e ftohta historike me Moskën që nga periudha e Bashkimit Sovjetik.
“Në 35 vitet e fundit, asnjë president apo kryeministër rus nuk ka vizituar Shqipërinë, dhe as nga ne nuk ka pasur ndonjë vizitë atje. Kjo është një histori e gjatë, por pozicioni ynë ka qenë i qartë që në fillim: në krah të Ukrainës,” tha Rama.
Ai theksoi se megjithëse Shqipëria nuk ka një rol përcaktues në NATO, mbetet një zë i palëkundur për paqe dhe demokraci.
“Jemi të bekuar që jemi pjesë e një kontinenti ku lindi ideja e paqes së përhershme. Ky është një moment për të qëndruar të bashkuar për vlerat tona,” përfundoi kryeministri shqiptar.
Deklaratat e dy liderëve vijnë në kuadër të vizitës zyrtare të Starmer në Tiranë dhe në prag të Samitit të Komunitetit Politik Evropian, që zhvillohet nesër në kryeqytetin shqiptar.
Pjesë nga fjala e kryeministrave:
Kier Starmer: Putini po i tërheq gjërat zvarrë dhe po shkakton vonesa për një armëpushim. Ukraina ka qenë shumë e qartë për një armëpushim 30 ditor pa kushte.
Putini po pengon paqen, ai ishte agresori që në fillim.
Të gjitha kombet duhet të renditen si aleatë për të siguruar armëpushim dhe të kemi të miratuara sanksione nëse vijon kjo metodë e Putinit për të tërhequr gjërat zvarrë
Edi Rama: Jemi në një vend që nga ndërrimi i regjimit 35 vite më parë, asnjë president e kryeministër rus nuk ka vënë këmbë këtu, as nga ne askush nuk ka shkuar.
Kjo është një histori e gjatë që lidhet me historikun tonë me BRSS.
Dua të them që ne kemi qenë që në krye të herës në krah të Ukrainës e do të vijojmë të jemi.
Jemi të vetëdijshëm se edhe pse kemi kryeministrin më të gjatë në NATO nuk kemi një rol përcaktues, por jemi të bekuar që kemi lindur në kontinentin e iluminizmit dhe në një hapësirë ku lindi ëndrra e paqes së përhershme.