Një rekord botëror i pabesueshëm Guinness u vendos nga një robot që arriti të zgjidhte një Kub të Rubikut në vetëm 0.103 sekonda – më shpejt sesa i duhet një syri të mbyllë e të hapë qepallat.
Roboti, i quajtur “Kubi i Purdubik”, u ndërtua nga katër studentë amerikanë – Matthew Patrohay, Junpei Ota, Aden Hurd dhe Alex Berta – në Universitetin Purdue.
“E zgjidhëm Kubin e Rubikut në 103 milisekonda,” shpjegoi Patrohay. “Syrit të njeriut i duhen 200 deri në 300 milisekonda për të pulsuar. Pra, përpara se të vini re ndonjë lëvizje, ne e kishim zgjidhur tashmë.”
Kjo arritje mbresëlënëse ndodhi më 21 prill, duke thyer rekordin e mëparshëm prej 0.305 sekondash.
Studenti 23-vjeçar rrëfeu se ideja nisi pasi kishte parë një video të studentëve nga MIT, të cilët e kishin zgjidhur kubin në 308 milisekonda. “Pashë videon dhe mendova: ‘Ky është një projekt i shkëlqyer. Do të doja ta thyeja atë rekord një ditë.’ Dhe tani që jam në Purdue, vërtetuam se mund të shkojmë më shpejt,” shtoi ai.
Është interesante të përmendet se kur nisi për herë të parë “kampionati” i zgjidhjes së Kubit të Rubikut me robotë në vitin 2009, rekordi i parë i vendosur nga irlandezi Peter Redmond ishte 1 minutë e 4 sekonda.
Arena e Lajmit