1 Qershori! Presidenti Begaj dhe Zonja e Parë takojnë fëmijë nga të gjitha trevat shqipfolëse

Presidenti i Republikës Bajram Begaj, dhe Zonja e Parë e Republikës, Armanda Begaj, ftuan sot në një festë të madhe fëmijë nga të gjitha trevat shqiptare – nga Prizreni e Drenasi, Ulqini e Tuzi, nga Tetova, si dhe fëmijë nga diaspora shqiptare në Gjermani, Itali, Greqi – për të festuar 1 Qershorin, Ditën e Fëmijëve.

Festa madhështore, e dedikuar fëmijëve, “Kam në zemër shqiptarinë”, i qëndroi kësaj teme në koncertin artistik ku performuan fëmijë nga të gjitha trevat, në teatrin e kukullave, në performancat e cirkut dhe lojërat animuese.

Presidenti i Republikës falënderoi fëmijët e ardhur nga të gjitha trevat:

“Shumë faleminderit që jeni bërë pjesë e këtij aktiviteti kaq të rëndësishëm, që unë bashkë me Armandën e vlerësojmë jashtëzakonisht shumë!

Të festojmë së bashku për fëmijët tanë!

Gëzuar 1 Qershorin, festën e fëmijëve!

Urojmë që secili fëmijë të ketë festë në jetën e tij, të ketë çdo të mirë në jetën e tij!

U urojmë shumë suksese, sidomos fëmijëve që kanë ardhur nga jashtë Shqipërisë – shqiptarë që jetojnë në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, në Greqi, në Itali, në Gjermani dhe në Malin e Zi.

Një përqafim për të gjithë!”

Zonja Begaj, në fjalën e saj, u shpreh:

“Këtë vit, kjo lëndinë është e mbushur plot me gëzimin e fëmijëve të ardhur nga treva të ndryshme shqiptare.

Fëmijë që, me krenarinë e të qenit shqiptar, na vijnë nga Kosova jonë e dashur, nga Prizreni dhe Drenasi.

Fëmijë që na vijnë nga Tuzi dhe Ulqini në Malin e Zi.

Fëmijë që na kanë ardhur nga Tetova, në Maqedoninë e Veriut.

Mirë se keni ardhur!

Faleminderit që keni ardhur!

Mes jush ka edhe fëmijë që janë shumë krenarë që janë shqiptarë – bashkëmoshatarët tuaj nga Gjermania dhe Greqia.

Faleminderit që keni ardhur për të festuar në gjuhën e prindërve tuaj, në shqip!

Të dashur fëmijë, ju që jeni gëzimi, dashuria dhe drita e jetës sonë – ju uroj ta doni sa më shumë gjuhën tuaj, shqipen tonë të bukur, ta mësoni e ta trashëgoni atë bashkë me kulturën dhe zakonet e të parëve tanë.

Kështu do të jemi gjithnjë krenarë që jemi shqiptarë.”

Më pas, Zonja e Parë u tha fëmijëve të lëshonin tullumbacet, ashtu si ëndrrat e tyre, drejt qiellit:

“Tani, të dashur fëmijë, ju ftoj të mbyllni sytë tuaj dhe të mendoni për dëshirat dhe ëndrrat tuaja!

Tani, dërgojini lart, lart në qiell, bashkë me tullumbacet që keni në duar.”

Festa e sotme kishte rezervuar aktivitete të ndryshme, si: teatër kukullash, cirk, këngë, recitime dhe shfaqje kërcimi, lojëra animuese. Gjithashtu, fëmijët e diasporës shqiptare kishin përgatitur shfaqjen e tyre me temë: “Shqipërinë e kam në zemër.”


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×