Në Gjykatën e Posaçme vijon seanca për vrasjen, rrëmbimin e zhdukjen e Jan Prengës, me të pandehur, Dritan Rexhepin dhe Aldo Majnishtën.
Gjykata tha se ka mbërritur në Shqipëri për marrjen në pyetje në cilësinë e dëshmitarëve Astrit Prenga, vëllai i Jan Prengës dhe Gëzim Shullani.
“Para se të rishqyrtojmë kërkesën tuaj, duam të dimë statusin penal të personave që do dëshmojnë, detaje mbi pyetjet që do t’u jepen shpjegime, akuzat për të cilat duhen marrë në pyetje dëshmitarët, sesi mund të shërbejë dëshmia e tyre në hetimin e SPAK.
Të ngarkohet policia britanike për të bërë pyetjet që autoritetet shqiptare do të na vënë në dispozicion”, thuhet në leterporosi.
Ndërkohë sot, gjykata duhet të marrë vendim nëse do t’u vihet në dispozicion mbrojtësve komunikimi i plotë nga aplikacioni SKY ECC, në kuadër të një procesi ku të pandehurit akuzohen për veprimtari kriminale të organizuar.
SPAK, i përfaqësuar nga prokurorët Elida Kaçkini dhe Behar Dibra, këmbëngul se komunikimet e përfshira në dosje janë të plota, për aq sa lidhen me këtë çështje. Prokurorja Kaçkini theksoi:
“Duhet të qartësoj se mes të pandehurve në këtë proces gjyqësor, komunikimet janë të plota. Ato që janë hequr janë komunikime të tyre me persona të tjerë. Në këtë kuptim ne i qëndrojmë sekretit hetimor, pasi për Dritan Rexhepin kemi dyshime edhe që është i përfshirë në trafikun e drogës. Në këtë gjykim ai është i pandehur për tjetër vepër penale.”
Nga ana tjetër, mbrojtja kundërshton mënyrën se si SPAK ka përzgjedhur komunikimet që konsideron si prova, duke theksuar se komunikimet e munguara mund të jenë të domosdoshme për një mbrojtje efektive të klientëve të tyre.
Pas diskutimeve, palët ranë dakord mbi vijimin e procedurës, ndërsa seanca e radhës u caktua për datën 20 qershor, ora 10:00.
(Arena e Lajmit)