Në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) vijon dëshmia e bashkëpunëtorit të drejtësisë, Artan Tafani, lidhur me grupin kriminal të Laert Haxhiut.
Tafani ka rrëfyer detaje nga takimi i tij i parë me Haxhiun, duke treguar atmosferën dhe bisedën që zhvilluan. “Për Laertin kisha dëgjuar vetëm nëpër lajme. U takuam në Dajt në një restorant, ku Laerti më mori jashtë që të flisnim. Atë natë ndenjëm atje në Dajt. Unë u tremba, sepse thashë pse më morën mua këta, kur pashë Laert Haxhiun. Ai më tha ‘do bëjmë ndonjë punë, do të ndihmoj unë me ndonjë mall’. Më duket se e dinte që isha keq me lekët. Të nesërmen Laerti dhe Ligori ikën për Korçë, unë u takova me Klajdin dhe me Lulzimin dhe ikëm në Lushnje. Gjatë rrugës më dhanë 500 euro, dhe 500 të tjera më dhanë pas 2-3 ditësh”, tha Tafani.
Ai tregoi gjithashtu edhe për detyra të tjera të jashtëligjshme që kishte kryer për këtë grup kriminal.
“Në një takim tjetër më thanë të vendosja një tritol në Lushnje, pasi i kishin dhënë mall njërit dhe ai nuk i kishte bërë pagesën. Tritoli do të ishte si një formë presioni. Unë pranova. Që nga dita e parë që i takova kishte një lloj presioni mbi mua, s’dija si t’ua shpjegoja. Rrugës Laerti më dha 100 euro për shpenzime nafte. Unë e kisha lënë makinën në hyrje të Elbasanit. Nisëm për Lushnje me vendosur tritolin, kisha bërë edhe planin”, tha ai.
Tafani ka zbuluar se ka përdorur 100 gram tritol në një derë banese në katin e parë të një pallati.
“Mu duk sikur kjo ishte prova që këta do shikonin nëse bëja punë unë apo jo. E ndeza fitilin dhe ika. E vendosa në derën e banesës, ishte në katin e parë të një pallati. Isha në këmbë, kalova nga shinat e trenit. Planin e kisha bërë me Laertin,” përfundoi ai.