Në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vijuar dëshmia e bashkëpunëtorit të drejtësisë, Artan Tafani, lidhur me aktivitetin e grupit kriminal të Laert Haxhiut.
Gjatë dëshmisë së tij, Tafani ka rrëfyer në detaje momentin e vrasjes së Çajup Selimit, ngjarje që ndodhi në Tepelenë.
“Pasi arrita te pallati ku banonte Çajupi, qëndrova pranë hyrjes. Dëgjova një makinë që më dukej si ajo që përdorte ai – një Benz. Ishim ballë për ballë. Unë mbaja maskë COVID-i dhe një kapele. Ai më pa me dyshim.
U fut në hyrje dhe nisi të ngjitej, te kati i parë, pastaj të dytin. Unë e ndoqa nga pas. Ishte tullac dhe e njihja mirë, madje edhe çfarë kishte veshur atë ditë – një bluzë të kuqe. E qëllova nga pas, tre herë. Një herë në shpatull dhe dy herë të tjera – nuk jam i sigurt ku e kapën plumbat.
Më pas u largova me vrap në drejtim të Burgut të Bënçës. Rrugës rashë në ca ferra, jashtë qytetit. Armën e kisha ende me vete – një Beretta e vogël, me silenciator. Po përpiqesha të gjeja rrugicën që më nxirrte në lumin Vjosë, aty ku sipas planit do më priste Ligori.”