“Do ma gjesh një mami”? “Vetting” sjell dramën e fëmijëve jetimë. Si Gjykata e Shkodrës mban “peng” vogëlushin 16-muajsh. Radovani: Zvarritje institucionale pafund

Emisioni investigativ Vetting, News24

Jetimët dhe buka e tyre, një pengmarrje shtetërore
Kur një fëmijë vjen në jetë e qara që kumbon anembanë është thirrja për kujdes prindëror. Por jo të gjithë prindërit mund t’u përkushtohen të vegjëlve të tyre dhe jo të gjithë fëmijët rriten pranë gjirit të ngrohtë të familjes. Të dorëzuar përballë vështirësive ekonomike dhe sociale, prindërit e braktisin fëmijën duke e lënë në jetimore. Ndryshe nga këta prindër, shteti nuk i braktis kurrë sepse asnjëherë nuk ka qenë pranë tyre.

Angjela Radovani, drejtoreshë në “Shtëpia e Fëmijës 0-5 vjeç” në Shkodër po ndjek në Gjykatën e Shkallës parë Shkodër, një gjyq, ku nëna ka braktisur një fëmijë të sapolindur për ta bërë zyrtarisht pjesë të shtëpisë së fëmijës, shprehet që po shkelet interesi me i lartë i fëmijës.

Kemi një tejzgjatje të seancave, një proces që ka shumë muaj që ka vazhduar. Fëmija është 16 muajsh dhe vazhdon qëndron tek ne për shkak të burokracive dhe të vlerësimit se ca është më e mira për këtë fëmijë”, u shpreh drejtoresha Rodovani.

Streha për fëmijët pa kujdes prindëror kthehet në një kështjellë që i mbron nga ftohtësia dhe rreziqet e botës së jashtme, por mungesa e prindërve ngre pyetje të vështira, që askush nuk mund t’i përgjigjet.

 “Kur realizohen birësime, vijnë dhe më drejtohen mua po mua kur do ma gjesh një mami?”- tha Angjela Rodovani.

 Në episodin e sotëm, emisioni “Vetting” do të evidentojë problematikat kryesore me të cilat hasen jetimët, kur shteti në vend që të gjejë zgjidhjen më të mirë, birësimin, kthehet në një makinë burokratike, vonesat e të cilës bien mbi zhvillimin e fëmijës. Jo vetëm kaq, por fëmijët në çdo jetimore sot kanë ushqim më pak se dje, sepse Shërbimi Social Shtetëror dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nuk kanë bërë indeksimin e çmimeve.

Gjykata e Shkodrës sorrollat foshnjen
Në pamje është Qendra e Fëmijëve në Shkodër, e cila përkujdeset për fëmijët e braktisur apo që kanë humbur të dy prindërit. Shumë foshnje para se të hedhin hapat e parë ndjekin procedura ligjore sepse që në momentin e lindjes së tyre, shumë prej tyre janë lënë në maternitet. Mungesa e mbështetjes, varfëria, papunësia apo edhe probleme të tjera personale bëjnë që shumë nëna të detyrohen të braktisin fëmijët, duke i lënë ata në duart e institucioneve shëndetësore dhe rezidenciale.

Ne dimë që fëmijët lindin dhe braktisen që në maternitet. Foshnjat sapo kanë ardhur në jetë rriten nuk i marrin në lënie aty dhe pastaj ata i përkasin një zinxhiri të tërë hallkash dhe institucioneve për të marrë dhe kujdesur për ta”- shprehet për emisionin “Vetting” Suela Koçibellinj nga Vizion OJF.

 “Po kemi mbivendosje të elementëve ekonomik dhe social të shëndetit mendor, por jo vetëm çështje ekonomike. Janë gjithmonë për arsye të thella sociale, për arsye se nanat, na ka ndodhur të jenë dhë nëna të një rrethi që ushtrojnë prostitucion dhe është zgjedhje e tyre apo presion i jashtëm që fëmija të braktiset dhe të vazhdojë ciklin dhe rrethin vicioz në të cilin janë. Ashtu siç kemi dhe nana të shëndetshme që me vetëdije dhe ftohtësi marrin një vendim që fëmija duhet të vendoset në institucion sepse nuk kanë kushte të rrisë fëmijën. Ashtu siç ka nëna që po lindin fëmijët vetëm për hir të bonusit të bebes”, dëftoi drejtoresha e Shtëpisë së Fëmijës 0-5 vjeç Shkodër.

Qendrat rezidenciale janë zgjidhja e fundit ku fëmijët mund të gjejnë përkujdesje, edukim dhe mbështetje të të gjitha formave, emocionale, psikologjike dhe ekonomike. Këta jetimë i përjetojnë të gjitha llojet e emocioneve në një moshë të vogël, pavarësisht se nuk dinë t’i përshkruajnë. Të vetmit me të cilët i ndajnë janë kujdestarët dhe të ngjashmit e tyre, fëmijët e tjerë. Në qendrën e Shkodrës janë të akomoduar 19 fëmijë që rriten, luajnë e gëzojnë me njëri-tjetrin.

“Rutina është njësoj si në familje. Nëse në një familje nis rutina me mëngjesin apo me përgatitjen për në shkollë apo në kopshtin me daljen e prindërve për në punë, e njëjta gjë është dhe këtu te ne, veçse është në një numër shumë më të madh”, tha Rodovani.

Me një oborr të madh dhe shumë lodra të shpërndara kudo, fëmijët kalojnë disa orë të ditës duke luajtur me njëri-tjetrin. Por prej disa muajsh, fati i një fëmije 16 muajsh po vonohet pasi Gjykata e Shkodrës nuk ka arritur të gjejë një zgjidhje për këtë foshnje.

“Harrojmë vetëm një gjë, që këtu më e rëndësishmja është fëmija. Fëmija është interesi më i lartë i një qeverie, i një ndërmjetësi social” – u shpreh Alfred Muharemi, Drejtor Rajonal i Shërbimit Social Shtetëror për Qarkun e Tiranë.

Ne vazhdimisht çojmë zërin, argumentojmë, dhe sjellim të gjitha provat tona që ky është një rast që duhet t’i jepet drejtim dhe nga Gjykata nuk po mirëkuptohemi. Nuk po vlerësohet qasja dhe përkujdesja jonë drejt fëmijës, por po vendoset fokusi drejt nënës biologjike“, u shpreh Angjela Radovani.

Aktualisht fëmija ndodhet në jetimore, por sipas Drejtoreshës Angjela Radovani kësaj çështje i duhet dhënë një zgjidhje sa më shpejt për të mos e privuar fëmijën nga akomodimi në një familje të re.

“Ajo që ne vërejmë ose që unë mund të referoj si problematikë konkrete në lidhje me rastin është se vazhdimisht po vazhdojnë seance pas seance fillimisht me pretekstin se nana biologjike nuk po merr dijeninë, pasi që është pjesë e procedurës që nëna duhet të marrë dijeni mbi procesin, por dhe në rastin që ka marrë dijeni për procesin dhe ka konfirmuar dhe në prezencë të Gjykatës që ka dijeni për datën, prapë janë shtyrë seanca që ajo të thirret, të pritet dhe të vijë të dëgjohet. Për mua është shkelje procedurale”, tha Radovani në statusin e Drejtoreshës së Rezidencës.

 Nga praktika dhe nga terreni shpeshherë janë prindërit rrezikshmëria më e lartë për fëmijën e tyre. Pra ne kemi raste të evidentuara ku fëmija është i detyruar të jetojë me nënën e cila mund të jetë e paaftë të përkujdeset për këtë fëmijë”- shprehet Suela Koçibellinj nga Vizion OJF.

 “Vetting” i bëri një kërkesë për informacion Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit Shkodër për këtë rast, ku edhe seanca është shtyrë korrikun e ardhshëm, por deri në publikimin e këtij materiali nuk kemi marrë asnjë përgjigje.

Drejtoresha Angjela Radovani, shprehet e zhgënjyer nga institucionet sepse procesi gjyqësor për deklarimin e braktisjes nga ana e tyre si palë kërkuese, është hapur në korrik të vitit 2024 dhe aktualisht jemi në qershor të vitit 2025 dhe vazhdojnë me seancat gjyqësore.

()


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×