Në katër muajt e parë të vitit 2025, shoqëria e sigurimit Albsig Jetë ka shfaqur një rritje të ndjeshme të aktivitetit të saj në tregun e sigurimeve të jetës, duke konsoliduar pozicionin si një nga aktorët më të rëndësishëm të këtij tregu.
Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare për periudhën janar-prill 2025, Albsig Jetë ka dyfishuar primet e shkruara bruto krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar në sigurimin e jetës së debitorit, që është produkti kryesor i tregut të Jetës. Kështu, primet për 4-mujorin e parë të këtij viti në këtë produkt sigurimi arritën në 231.7 milionë lekë, kundrejt 114.2 milionë lekëve, me një rritje prej rreth 103%.
Kjo rritje e konsiderueshme i ka dhënë mundësi kompanisë të zgjerojë pjesën e saj në këtë segment të tregut nga 22,69% në vitin 2024 në 39,77% në vitin 2025, duke kaluar në vendin e parë për këtë kategori.
Ervin Spahiu, Drejtor i Përgjithshëm i Albsig Jetë, i tha ekofin.al se kjo rritje i atribuohet angazhimit dhe përkushtimit 5-vjeçar të punonjësve të Albsig Jetë.
“Jemi duke përmbushur misionin tonë për ofrimin e produkteve cilësore dhe inovatore, si dhe vizionin e aksionerit, duke e pozicionuar Albsig Jetë si një nga shoqeritë kryesore të sigurimit të jetës, aplikimin e standardeve të larta, me integritet dhe profesonalizëm. Arritjet tona i bashkohen suksesit të Albsig Sh.a., kompani lider në tregun e sigurimeve jo-jetë dhe Grupit Kastrati. Besimit të klienteve dhe partnerëve tanë u takon falenderimi dhe premtimi për të vazhduar punën tonë me përkushtim dhe përgjegjshmëri”.
Njëkohësisht, edhe për sa i përket dëmeve të paguara në sigurimin e jetës së debitorit, Albsig Jetë ka shënuar një rritje të konsiderueshme. Në vitin 2025, kompania ka paguar rreth 24 milionë lekë dëme, nga 11 milionë që kishte paguar në të njëjtën periudhë të një viti më parë, një rritje me 115%, duke reflektuar kështu një angazhim gjithnjë e më të madh në përmbushjen e detyrimeve ndaj klientëve.
Në total, në tregun e sigurimeve të Jetës, Albsig Jetë është ngjitur në vend të dytë, duke konsoliduar pozitat dhe ka një diferencë shumë të vogël në vlerë primesh në raport me Sigal Life që udhëheq tregun prej vitesh. Primet e shkruara bruto për Albsig në këtë treg arritën në afro 240 milionë lekë, kundrejt 245 milionë lekëve të Sigal Life. Kjo tregon për një konkurrencë të ngushtë dhe për një përparim të jashtëzakonshëm të Albsig Jetë, duke e pozicionuar atë si pretendent të fortë për lidership në tregun e sigurimeve të jetës.
Shoqëria e sigurimit të Jetës, Albsig Jetë operon në tregun e sigurimeve prej më pak se 6 vitesh, por ajo është krijuar pas eksperiencës së suksesshme në tregun e Jo-Jetës nga shoqëria Albsig dhe ka mbështetjen e Grupit Kastrati. Në total tregu, primet e shkruara bruto për sigurimin e Jetës arritën në 729.7 milionë lekë, me një rritje prej 10.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Megjithatë, krahasuar me tregun e Jo-Jetës, sigurimet e Jetës mbeten ende me shumë potencial për t’u zhvilluar më tej.