Një situatë shqetësuese është regjistruar në kompleksin “Mangalem” në zonën e “Ali Demit” në Tiranë, ku mbeturinat kanë pushtuar rrugët përreth, duke krijuar një pamje alarmante dhe aspak të denjë për një zonë urbane të kryeqytetit.
Pamjet e mbërritura në redaksinë e nga vetë qytetarët tregojnë qartë gjendjen e rëndë në hyrje të kompleksit, ku grumbujt e plehrave të hedhura jashtë koshave kanë zaptuar hapësirat publike. Sipas banorëve, kjo situatë nuk është e re, por ka vite që përsëritet për shkak të numrit të madh të banorëve dhe mungesës së koshave të mjaftueshëm për menaxhimin e mbetjeve.



“Çdo ditë shohim të njëjtën pamje. Koshat janë gjithmonë plot dhe mbeturinat përfundojnë në rrugë. Po jetojmë mes plehrave,” shprehet një banor i zonës.
Prej ditësh, situata është përkeqësuar ndjeshëm, duke i rikthyer banorët në një realitet të ngjashëm me atë të shumë viteve më parë, kur menaxhimi i mbetjeve urbane ishte një nga sfidat më të mëdha të qytetit.
Përveç ndotjes së ambientit dhe aromave të rënda, banorët raportojnë për praninë gjithnjë në rritje të minjve në afërsi të koshave të mbeturinave, duke rritur ndjeshëm rrezikun për përhapjen e infeksioneve dhe sëmundjeve.
Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga autoritetet përgjegjëse për të vendosur më shumë kosha dhe për të garantuar pastrimin e rregullt të zonës, në mënyrë që situata të mos dalë plotësisht jashtë kontrollit.