Partia Demokratike iu rikthye sot çështjes hetimore të Sali Berishës duke theksuar se ndalimi i liderit të opozitës për 333 ditë me masën “arrest shtëpie” për dosjen “Partizani”, është bërë pa asnjë provë ligjore.
Nëpërmjet një deklarate për mediet, zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD Genta Vangjeli, u shpreh se “dosja ‘Partizani’ është një nga shembujt më flagrant të standartit të dyfishtë dhe drejtësisë e cila është kthyer në një instrument politik kundër opozitës”.
“SPAK arrestoi liderin historik të opozitës Prof.Dr. Sali Berisha i cili u mbajt në arrest për 333 ditë pa asnjë provë ligjore.
“Po ashtu, prej 551 ditësh mbahet në arrest profesor Jamarbër Malltezi, drejtues i Departamentit të Mjedisit në PD”, u shpreh Vangjeli.
Vangjeli theksoi se “ashtu si 570 000 qytetarë të tjerë shqiptarë, iu kthye prona e tij dhe e zhvilloi atë duke respektuar ligjin, duke paguar çdo detyrim, duke kontribuar për komunitetin me ndërtimin e kopshtit, çerdhes, sistemimin e 42 familjeve informale, si dhe duke dhuruar 4100m2 tokë për ndërtimin e një gjimnazi publik”.
Vangjeli gjithashtu e cilësoi drejtësinë me regji, ndërsa rreshtoi edhe rastet kur sipas PD-së drejtësia nuk ka vepruar.
“Dokumenti i publikuar së fundmi nga avokati i Berisha, tregon qartë se organet e drejtësisë veprojnë me urdhra politikë: Spak harton një urdhër për ekzekutimin e vendimit gjyqësor një ditë përpara se gjykata vetë të merrte vendimin. Partia Demokratike nuk do të ndalojë së denoncuari çdo shkelje të ligjit dhe çdo akt që përdor drejtësinë si armë politike”, tha Vangjeli.
Sipas Vangjelit drejtësia e kapur nuk do të ndalë dot të vërtetën.
“Ajo nuk do të ndalë dot llogaridhënien dhe as betejën tonë për një Shqipëri demokratike, europiane dhe të drejtë për të gjithë qytetarët”, tha Vangjeli.
()