Pas shtyrjes njëditore,këtë të enjte në orën 09:30 rinisi në Gjykatën e Elbasanit seanca e masave të sigurisë e ndërprerë dje për të arrestuarit gjatë operacionit të bujshëm antidrogë të koduar “First Day”. Shtyrja e seancës erdhi pas kërkesës së avokatëve mbrojtës, të cilët kërkuan kohë për t’u njohur me aktet e hetimit dhe për të përgatitur mbrojtjen e klientëve të tyre.
Megaoperacioni “First Day”, i finalizuar në fillim të kësaj jave nga Policia e Elbasanit në bashkëpunim me Prokurorinë e rrethit, kishte si objektiv goditjen e një rrjeti të mirëorganizuar të shpërndarjes së lëndëve narkotike në të gjithë qarkun.Si rezultat i këtij operacioni të shtrirë në disa qytete,përfshirë Elbasanin,Librazhdin,Gramshin,Cërrikun,Peqinin,Belshin dhe Prrenjasin u ekzekutuan gjithsej 30 masa sigurie:
•25 persona u arrestuan me urdhër “arrest në burg”;
•5 të tjerë u kapën në flagrancë;
•1 shtetas u procedua penalisht në gjendje të lirë.
Në total,Prokuroria ka kërkuar masa sigurie për 30 persona, nga të cilët 28 “arrest me burg” dhe 2 “arrest shtëpie”.Hetimi i këtij rrjeti është zhvilluar për disa muaj me metoda speciale të hetimit,që çuan në identifikimin e strukturës dhe rolit të secilit anëtar të përfshirë në aktivitetin kriminal.Gjatë kontrolleve të ushtruara në kuadër të operacionit, u sekuestruan sasi të konsiderueshme kokaine, kanabisi, armë zjarri, mmunicion luftarak, shuma të mëdha parash në valutë të huaj, targa automjetesh dhe pajisje të tjera të përdorura për aktivitetin kriminal
Ndërkohë, vijon puna për kapjen e 14 personave të shpallur në kërkim dhe për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë, që dyshohet se janë pjesë e të njëjtit rrjet kriminal.Organi i akuzës dhe strukturat e Policisë së Shtetit theksojnë se operacione të tilla janë pjesë e një strategjie më të gjerë për goditjen e grupeve kriminale që operojnë në trafikun dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike në vendin tonë.