
Ambasadori i Hollandës në Shqipëri, Reinout Vos, nga Korça ka komentuar fikjen e sinjalit të News24, duke theksuar se është e drejta e çdo medie që të vazhdojë punën e saj normalisht.
“Ka pasur një diskutim për këtë çështje, normalisht çdo hap që ndërmerret në këtë drejtim duhet të jetë në përputhje me ligjin dhe me shtetin e së drejtës. Ne jemi duke e monitoruar këtë çështje. Është e drejta e çdo medie që të vazhdojë punën e saj normalisht. Besoj që edhe Focus Media Group ka filluar punën e saj dhe ne jemi duke e monitoruar”, u shpreh ai.
Sa i përket lirisë së medias në Shqipëri, ambasadori tha: “Sikurse e dini, Komisioni Europian nxjerr çdo vit raportin që vlerëson Shqipërinë në hapat që ka bërë drejt integrimit europian dhe sipas këtij raporti, në fushën e lirisë së medias ose lirisë së shprehjes, Shqipëria nuk ka bërë progres. Kjo është diçka për të cilën duhet të punohet.”
Ambasadori shtoi se kjo është edhe arsyeja pse Holanda ka ardhur në Shqipëri me një projekt për të ndihmuar në mënyrë që të krijohet dialog dhe komunikim midis gazetarëve dhe prokurorisë.
“Ju e patë vetë, ishit dëshmitarë. Ne besojmë që projekte të tilla ndihmojnë në përmirësimin e situatës, e cila sigurisht duhet përmirësuar,” përfundoi ai.
and then