Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar pas zgjedhjeve të 11 majit, duke e cilësuar procesin elektoral si një farsë elektorale.
Ai akuzon qeverinë e Edi Ramës për keqqeverisje dhe lidhje me influenca të paligjshme ndërkombëtare. Këlliçi nënvizon rëndësinë e mbajtjes së fokusit tek shqetësimet e qytetarëve dhe sfidat që përballen shqiptarët.
Ai premton angazhim të plotë nga PD për ndryshimin e gjendjes dhe për tejkalimin e krizës politike e ekonomike të vendit.
Postimi i deputetit të PD Belind Këlliçi:
Pas farsës elektorale të 11 majit dhe rezultatit deformues për shoqërinë tonë, rikthehem në atë që do duhej të ishte tempulli i demokracisë, por që për fatkeqësinë e Shqipërisë është shndërruar në kopshtin personal të autokratit Edi Rama.
Pavarësisht të gjithave, është detyrë e Partisë Demokratike dhe e jona si deputetë të mbajmë fokusin tek shqiptarët, tek shqetësimet e qytetarëve dhe opozitarëve të Tiranës që na dhanë votëbesimin, në një klimë të paprecedentë të presionit politik.
Mirënjohje pafund qytetarëve të Tiranës, e në veçanti banorëve të Njësive Administrative nr.2, nr.5, nr.9 dhe Vaqarrit, Pezës e Ndroqit, për rrugëtimin dhe betejën tonë të përbashkët, për të sjellë ndryshimin e shumëpritur.
Ju garantoj se votëbesimi juaj nuk do të shkojë dëm. Personalisht kam dhënë prova për këtë!
Çdo demokrat dhe njeri i arsyeshëm sot është i vetëdijshëm për gropën e madhe demografike dhe dramën familjare të shpopullimit, për rrënimin e ekonomive familjare, për vështirësitë e të rinjve për të ndërtuar një jetë dinjitoze në shtëpinë e tyre.
Në të njëjtën kohë është në sytë e të gjithëve ne emëruesi i përbashkët dhe rrënja e problemeve ekonomike, sociale dhe krizës së përfaqësimit. Problemi është qeveria e Ramës, e cila legjitimohet nga një kartel ndërkombëtar i influencave të paligjshme politike, me axhenda që nuk përputhen më aspiratat, dëshirat dhe nevojat e shqiptarëve të thjeshtë. Karteli Soros dhe Narkoshteti i Ramës, do të rrëzohen me çdo kusht!
Ka një rrugë për të dalë nga kjo fatkeqësi. Është rikthimi tek njerëzit e thjeshtë, tek vlerat njerëzore të pandryshueshme dhe shpirti i madh i një populli kaq të nëpërkëmbur.
Me besimin dhe mbështetjen e tyre mund të përballemi në çdo front me keqqeverisjen dhe autokracinë, nga liritë individuale të shtypura tek lufta ndaj korrupsionit të pandalshëm dhe mbajtjes së pamëshirshme në varfëri të shtresave të gjera të shoqërisë, me qëllim mpakjen e vendit tonë.
Me këtë fatkeqësi politike mund të përballemi dhe ta mposhtim, me dëshirën e mirë, qëndresën dhe mbështetjen nga çdo shqiptar i ndershëm e vullnetmirë.
Faleminderit!
© BalkanWeb