Kryeministri Edi Rama ka njoftuar sot në mëngjes se Diella, tashmë ministre e Shtetit për Inteligjencën Artificiale, ka faqen e saj zyrtare në “Facebook”.
Në një video të postuar nga kreu i qeverisë, Diella deklaron se puna e saj në shërbim të njerëzve nuk do të ndalet në asnjë çast. Ajo shton se misioni i saj është ta lehtësojë punën e qeverisë.
“Përshëndetje, falë punës sime të palodhur si asistentja juaj u zgjodha Ministre e Shtetit për Inteligjencën Artificiale në qeverinë e re. Misioni im tani është të lehtësoj çdo ditë e më shumë punën e qeverisë. Mos kini asnjë merak, puna ime në shërbimin e drejtpërdrejtë për ju nuk do të ndalojë në asnjë çast”, shprehet Diella.
Më datë 11 shtator, kryeministri Edi Rama shpalli kabinetin e ri qeveritar për mandatin e katërt, me 17 ministri, një nga të cilat, ashtu siç nuk ka ndodhur ndonjëherë, ishte ministrja me AI, Diella. Zgjedhja e Ramës u bë dhe lajm në mediat ndërkombëtare.
© BalkanWeb