Gjiganti teknologjik, Nvidia, do të investojë deri në 100 miliardë dollarë në OpenAI dhe do ta furnizojë këtë të fundit me çipe për qendra të dhënash.
Kompanitë theksuan se do të bashkëpunojnë për garën globale në inteligjencën artificiale.
Ky veprim thekson interesat gjithnjë e më të ndërthurura të gjigantëve të teknologjisë që po zhvillojnë sisteme të avancuara të AI-së. Kjo marrëveshje i jep Nvidia-s, prodhuesit të çipeve, një interes financiar në kompaninë më të njohur të AI-së në botë, e cila është tashmë një nga klientët e saj më të rëndësishëm.
Njëkohësisht, ky investim i siguron OpenAI fondet dhe aksesin e nevojshëm për të blerë çipe të avancuar që janë të domosdoshme për të ruajtur epërsinë në një treg gjithnjë e më konkurrues. Konkurrentët e të dyja kompanive mund të shprehin shqetësime se partneriteti mund të dëmtojë konkurrencën.
Marrëveshja do të përfshijë dy transaksione të ndara, por të ndërlidhura, thotë një burimi pranë OpenAI. Nvidia do të fillojë të investojë në OpenAI përmes aksioneve pa të drejtë vote sapo marrëveshja të përfundojë, dhe më pas OpenAI do të përdorë paratë për të blerë çipet e Nvidia-s, tha ky burim.
“Çdo gjë fillon me fuqinë kompjuterike”, tha CEO i OpenAI, Sam Altman, në një deklaratë. “Infrastruktura kompjuterike do të jetë baza e ekonomisë së së ardhmes, dhe ne do të përdorim atë që po ndërtojmë me Nvidia për të arritur përparime të reja në AI dhe për t’i sjellë këto përfitime te njerëzit dhe bizneset në shkallë të gjerë.”
Të dy kompanitë kanë nënshkruar një letër që shpreh synimin për të vendosur të paktën 10 gigavat sisteme të Nvidia-s për OpenAI dhe thanë se synojnë të përfundojnë detajet e partneritetit në javët në vijim. Fuqia që kërkojnë këto çipe është e barabartë me nevojat energjetike të më shumë se 8 milionë shtëpive amerikane.
Aksionet e Nvidia-s u rritën deri në 4.4% pas njoftimit, duke arritur një rekord të ri ditor, ndërsa ndërtuesi i qendrave të të dhënave Oracle (ORCL.N) u rrit me rreth 6%. Oracle po bashkëpunon me OpenAI, SoftBank dhe Microsoft në një projekt prej 500 miliardë dollarësh të quajtur Stargate, që synon ndërtimin e qendrave gjigante të AI-së në mbarë botën.
Sipas marrëveshjes së re, pasi të arrihet një marrëveshje përfundimtare për blerjen e sistemeve të Nvidia-s nga OpenAI, Nvidia do të investojë fillimisht 10 miliardë dollarë, tha burimi i njohur me çështjen. Vlera e fundit e vlerësuar e OpenAI ishte 500 miliardë dollarë.
Nvidia pritet të fillojë dorëzimin e pajisjeve që nga fundi i vitit 2026, me një gigavat të parë të fuqisë kompjuterike që do të vendoset në gjysmën e dytë të atij viti, mbi platformën e saj të re të quajtur Vera Rubin.
© BalkanWeb