“Pasi dhunuan Kuvendin, vijnë pas një jave për të dhënë mendim”, Balla replikon me deputetët e opozitës: Asnjë nga ju s’ka qenë folës në seancën e fundit

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar në seancën e sotme parlamentare ndaj deklaratave të deputetëve të opozitës për mbylljen e parakohshme të seancës së mëparshme dhe për përjashtimin e tyre nga debati mbi programin qeverisës.

Në një replikë të drejtpërdrejtë ndaj akuzave të deputetëve të PD, Balla i konsideroi deklaratat e tyre si të pabaza dhe tha se gjithçka është zhvilluar në përputhje me Rregulloren e Kuvendit.

“Ky moment procedural i seancës është i rregulluar nga Rregullorja e Kuvendit. I hodha një sy me vëmendje procesverbalit të seancës së fundit dhe nuk më rezulton që ndonjë deputet që ka marrë fjalën sot, të ketë qenë folës në seancën e kaluar,” deklaroi Balla.

Ai iu referua nenit 44 të Rregullores së Kuvendit, sipas të cilit në këtë fazë të diskutimeve mund të flasin vetëm ata deputetë që kanë kontribuar me mendim në seancën e mëparshme, por mendimi i tyre nuk është pasqyruar siç duhet në procesverbal.

“Për ata që nuk dinë të lexojnë Rregulloren e Kuvendit, po ua lexoj vetë nenin 44. Pasi dhunuan seancën, vijnë pas një jave dhe kërkojnë të japin mendim,” vijoi Balla, duke akuzuar opozitën për sjellje të papërgjegjshme dhe tentativë për të krijuar konfuzion publik.

Balla sqaroi gjithashtu se e gjithë mënyra e zhvillimit të seancës është përcaktuar me konsensus në Konferencën e Kryetarëve, një strukturë ndërpartiake e Kuvendit që vendos për axhendën dhe organizimin e punimeve parlamentare.

“Kemi ardhur me konsensus në Konferencën e Kryetarëve dhe ndaj ftoj të shkohet në votim,” përfundoi ai, duke i bërë thirrje deputetëve të mbyllin diskutimet dhe të kalojnë në votim.

© BalkanWeb


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×