Balla mban fjalë në Grupin Socialist dhe Demokrat të Parlamentit Europian: Ky është mandati i anëtarësimit në BE! Vota e diasporës, moment historik

Në Takimin e Ballkanit Perëndimor që u zhvillua në Kroaci, në kuadër të Programit “Willy Brandt” të Socialistëve dhe Demokratëve (S&D) në Parlamentin Europian, Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi se vullneti i votës së diasporës tregoi qartë rrugën europiane të Shqipërisë dhe se mandati i katërt i qeverisë do të jetë mandati i anëtarësimit në BE.

“Fakti që dy nga tre shqiptarë që jetojnë në diasporë votuan për ne, për Partinë Socialiste dhe për Edi Ramën, është një mesazh i qartë: ne u thamë shqiptarëve se duke votuar për PS dhe për Edi Ramën, ata votojnë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE pasi ata jetojnë aktualisht në BE.”

Balla tha se Shqipëria mezi pret të jetë pjesë e BE-së dhe shprehu dëshirën që zgjedhjet për eurodeputetë të mbahen edhe në Shqipëri në qershor 2029.

“Dua ta shfrytëzoj këtë rast për të rikujtuar edhe një ide që e kam ngritur në Bruksel kur u takuam në prill të këtij viti: duke marrë parasysh se në fund të majit ose qershor 2029 do të zhvillohen zgjedhjet europiane, padyshim do të donim të ishim gati që këto zgjedhje të organizoheshin edhe në vendet që i bashkohen BE-së.”

Balla informoi pjesëmarrësit se Shqipëria ka hapur tashmë të gjitha grupkapitujt dhe shpreson t’i finalizojë deri në 2027, për të qenë gati për ratifikimin e marrëveshjes së anëtarësimit në BE gjatë vitit 2028.

“Jam një europian i bindur, pro-evropian, dhe pa Ballkanin Perëndimor, Europa mbetet e papërfunduar. Duhet të bëjmë gjithçka që ky proces të përfundojë me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Siç kanë treguar shqiptarët në maj, por edhe në katër zgjedhjet e mëparshme, ata besojnë se forca e vetme politike që mund ta bëjë realitet këtë ribashkim me Europën është Partia Socialiste. Dhe unë besoj se edhe progresistët në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor janë ata që realisht mund ta realizojnë procesin e anëtarësimit në BE.”

Balla theksoi gjithashtu se Shqipëria po përparon në e-qeverisje dhe siguri kibernetike, duke sjellë si shembull Diellën, ministre për Inteligjencën Artificiale, e cila mbulon një nga temat më sfiduese, atë të prokurimeve publike.

“Është e rëndësishme për të kuptuar fakti që inteligjenca artificiale është një instrument që vendet e vogla mund ta përdorin për të shkurtuar disavantazhet historike përballë vendeve të mëdha,” deklaroi Balla.

Takimi i Ballkanit Perëndimor në Kroaci, në kuadër të Programit “Willy Brandt” të Socialistëve dhe Demokratëve (S&D), është një forum politik rajonal dhe europian që mblodhi politikanë dhe përfaqësues nga vendet e Ballkanit Perëndimor për të diskutuar perspektivën e tyre evropiane dhe procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ky takim ka për qëllim riafirmimin e mbështetjes së S&D për zgjerimin e BE-së, ndërlidhjen e sfidave rajonale me axhendën europiane, si dhe shkëmbimin e përvojave dhe ideve për reformat dhe bashkëpunimin rajonal, duke nxjerrë në pah progresin e Shqipërisë dhe vendeve të tjera drejt integrimit evropian.

Fjala e plotë e Kryetarit të Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla:

Dua të falënderoj socialistët dhe demokratët në Parlamentin Europian për lidershipin, angazhimin dhe rolin që ky grup ka luajtur prej shumë vitesh për ta mbajtur zgjerimin në zemër të debatit europian. Ka pasur momente kur ka qenë e vështirë të flitej për zgjerimin në Europë. Është gjithmonë e vështirë. Por progresistët, grupi S&D, e kanë mbajtur këtë çështje në qendër të debatit europian dhe të gjithë anëtarët e S&D e meritojnë këtë vlerësim. Jemi shumë mirënjohës.

Për mua personalisht, ka qenë ndoshta një ndër momentet e rëndësishme, pasi isha ndër personat pjesëmarrës në ditën themeluese të programit Willy Brandt për zgjerimin e BE-së. E kujtoj mirë atë kohë, ishte e vështirë të flitej për zgjerimin. Por sot është momenti për një momentum të ri të këtij procesi. Shpresoj që deri në vitin 2030 të kemi anëtarë të rinj në Bashkimin Europian.

Duke folur për vendin tim, jam shumë krenar që Shqipëria po bën përparime të mëdha në rrugëtimin drejt familjes europiane. Ne tashmë kemi hapur pjesën dërrmuese të grupkapitujtve dhe shpresojmë që deri në Krishtlindjet e këtij viti të kemi hapur të gjitha, si dhe të përmbushim të gjitha kushtet deri në vitin 2027. Synimi ynë është që deri në Krishtlindjet e vitit 2027 të kemi mbyllur të gjitha kapitujt dhe të jemi gati për të nisur procesin e ratifikimit të Marrëveshjes së Anëtarësimit në BE gjatë vitit 2028.

Dua ta shfrytëzoj këtë rast për të rikujtuar edhe një ide që e kam ngritur në Bruksel kur u takuam në prill të këtij viti: duke marrë parasysh se në fun maji ose qershor 2029 do të zhvillohen zgjedhjet europiane, padyshim do të donim të ishim gati që këto zgjedhje të organizoheshin edhe në vendet që i bashkohen BE-së.

Jam një europian i bindur, pro-europian, dhe pa Ballkanin Perëndimor Europa mbetet e papërfunduar. Duhet të bëjmë gjithçka që ky proces të përfundojë me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

Shqipëria po avancon ndjeshëm në e-qeverisje dhe siguri kibernetike. Jam shumë krenar që tashmë kemi një ministër për Inteligjencën Artificiale, e cila mbulon një nga temat më sfiduese, atë të prokurimeve publike. E rëndësishme për të kuptuar është fakti qe Inteligjenca artificiale është një instrument që vendet e vogla mund ta përdorin për të shkurtuar disavantazhet historike përballë vendeve të mëdha.

Gjithashtu, në politikën e jashtme jam shumë i lumtur të theksoj se Shqipëria është 100% e përafruar me politikën e jashtme të BE-së. Kur flasim për mbështetjen publike për anëtarësimin në BE, jam ndoshta personi më me fat mes kolegëve të mi të pranishëm këtu, sepse sondazhet e fundit tregojnë se rreth 94% e shqiptarëve e mbështesin anëtarësimin e vendit në BE.

Siç përmendi edhe Andreas, ne patëm zgjedhje në mes të majit të këtij viti. Këto ishin zgjedhje shumë të rëndësishme. Ne si Parti Socialiste e vumë anëtarësimin në BE si mesazhin tonë kryesor të fushatës. Dhe kjo është arsyeja pse shqiptarët votuan me shumicë të madhe, si brenda vendit ashtu edhe në diasporë. Për herë të parë u zhvilluan zgjedhje edhe për diasporën tonë. Diaspora shqiptare përbëhet kryesisht nga qytetarë që jetojnë në vendet anëtare të BE-së – Greqi, Itali, Gjermani dhe vende të tjera, por edhe në Mbretërinë e Bashkuar, SHBA e Kanada – por shumica jeton brenda BE-së. Kjo e bën për ne një lloj ribashkimi në dy kuptime: ribashkim me Europën, pasi ne jemi një komb europian prej shekujsh, dhe ribashkim me gjysmën tjetër të familjes që tashmë jeton brenda BE-së.

Fakti që dy në tre shqiptarë që jetojnë në diasporë votuan për ne, për Partinë Socialiste dhe për Edi Ramën, është një mesazh i qartë: ne u thamë shqiptarëve se duke votuar për PS dhe për Edi Ramën, ata votojnë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE pasi ata jetojnë aktualisht në BE.

Shoh disa paralele me diskutimet e tjera. Një këshillë që dua t’u jap kolegëve të vendeve fqinje është se ne duhet të flasim për BE-në hapur në Ballkanin Perëndimor. Për të gjithë ne, plani ynë i vetëm është anëtarësimi në Bashkimin Europian. Nuk ka plan B. Ne kemi vetëm një plan A atë të integrimit në BE, sepse ne i përkasim Europës, kemi qenë pjesë e saj prej shekujsh.

Siç kanë treguar shqiptarët në maj, por edhe në katër zgjedhjet e mëparshme, ata besojnë se forca e vetme politike që mund ta bëjë realitet këtë ribashkim me Europën është Partia Socialiste. Dhe unë besoj se edhe progresistët në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor janë ata që realisht mund ta realizojnë procesin e anëtarësimit në BE.

Çfarë kërkojmë nga ju? Para së gjithash, të vazhdoni betejën për zgjerimin e BE-së. Ju e keni bërë këtë, jemi shumë mirënjohës, por duhet vazhduar. Është thelbësore të ruhet ky momentum. Pas më shumë se 20 viteve në politikë, fakti që zgjerimi është kaq lart në axhendën politike të BE-së është diçka e jashtëzakonshme. Ne duhet ta shfrytëzojmë këtë moment.

Së dyti, ne duam të jemi pjesë e diskutimeve tuaja për reformat institucionale, sepse një Union më i madh duhet të funksionojë në mënyrë efektive. Këto diskutime po i bëni dhe ne duam të kontribuojmë në mënyrë pozitive.

Së treti, duhet zgjeruar qasja e hershme për vendet kandidate përmes programeve të BE-së si Horizon, Erasmus+, si dhe pjesëmarrja në ekosistemin e tregut të vetëm për ndërmarrjet e vogla e të mesme. E them këtë sepse të rinjtë dhe sipërmarrësit tanë duhet ta ndiejnë Europën që sot.

Të rinjtë smund të presin. Për mua personalisht, të flas sot para jush është si realizimi i një ëndrre të 20 viteve më parë. Atëherë ishte e pamundur, sot është bërë pjesë normale e axhendës sonë. Do të vijë një moment kur do të takohemi çdo ditë si kolegë në të njëjtin Parlament Europian.

Kur flasim për politikën rajonale, Shqipëria është një nxënëse e mirë. Ne e dimë se rruga drejt BE-së kalon përmes marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe bashkëpunimit rajonal. E kemi mësuar nga historia jonë dhe nga historia e vetë Bashkimit Europian.

Ne e mbështesim fuqishëm normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe duam të shohim rezultate konkrete. Mbështesim integritetin dhe funksionalitetin e Bosnjë-Hercegovinës. Por mesazhi kryesor mbetet se ne jemi mbështetës të palëkundur të perspektivës europiane për të gjithë fqinjët tanë.

Jemi shumë të lumtur që familja jonë politike në Parlamentin Europian është një mbështetëse e fortë e këtij vizioni. Dhe për këtë ju falënderoj shumë.

BalkanWeb


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×