Partia Demokratike ka denoncuar manipulimet e kryera nga kompania “CFO Pharma” e Nadir Çaushollit, i cili po hetohet për abuzime të rënda financiare, të cilat kanë dëmtuar drejtpërdrejt qytetarët dhe buxhetin e shtetit.
Sipas zëdhënëses për Antikorrupsionin në Partinë Demokratike, Genta Vangjeli, Prokuroria e Tiranës ka ushtruar disa ditë më parë një kontroll të gjerë në ambientet e kompanisë ‘CFO Pharma’, duke sekuestruar inventarët dhe dokumentacionin e rimbursimeve.
“Sipas raportimeve, ai ka shitur medikamente deri në 180 herë më shtrenjtë se çmimi i tyre real, duke dëmtuar rëndë qytetarët dhe buxhetin e shtetit.
Historia e përfshirjes së tij në skema të paligjshme nuk është e re.
Që në vitin 2016, Prokuroria e Tiranës konstatoi një dëm ekonomik prej 2.2 milionë eurosh ndaj shtetit nga receta false dhe abuzime me barnat e rimbursueshme, për çka Çausholli u arrestua.
Megjithatë, pas vitit 2017, bizneset e Çaushollit vijuan të lulëzojnë. Përveç linjës së autobusëve të ‘Unazës’ në Tiranë, ai hapi edhe pesë biznese të tjera, në disa prej të cilave rezulton bashkëpronar me persona publikë.
Pasi përfitoi miliona euro nga tenderat publikë, dhe ndonëse Agjencia e Prokurimit Publik (APP) në korrik 2024 e përjashtoi kompaninë CFO Pharma nga pjesëmarrja në tendera për 6 muaj, Çausholli vendosi ta ‘festojë’ këtë masë duke hapur një biznes të ri në fushën e turizmit”, ka deklaruar zëdhënësja për Antikorrupsionin në Partinë Demokratike, Genta Vangjeli,
BalkanWeb