Alban Muço i arrestuar dy ditë më parë nga blutë e Sarandës, ka dalë sot para Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë nën akuzën e “mashtrimit dhe përvetësimit të titullit”.
Hetimet kanë zbuluar se Alban Muço ka mashtruar disa të rinj në Sarandë, duke u premtuar punësim në institucione të drejtësisë.
Ai u ishte prezantuar si funksionar i lartë pranë Prokurorisë së Posaçme dhe Prokurorisë së Përgjithshme, duke i “emëruar” si hetues të BKH-së, shoferë dhe truproja personale.
Sipas dëshmive të mbledhura, ai u kishte premtuar një pagë mujore prej 2800 eurosh, plus dieta dhe shpenzime të tjera, të cilat – sipas tij – do të paguheshin nga Prokuroria e Përgjithshme.
Në seancë, avokati i tij, Armand Çaushi, kërkoi caktimin e masës më të lehtë, duke argumentuar se Muça nuk ka rrezik për t’u larguar dhe se nuk ka qëllim kriminal.
“Klienti im ka pretenduar se po jetonte në një fazë deluzionale, që mendonte se ishte prokuror, por që pretendon se nuk ka sjellë asnjë pasojë të rëndë apo pakësim të pasurisë së personave të tjerë”, deklaroi Çaushi.
Pavarësisht kërkesës së avokatit, Gjykata vlerësoi të ligjshëm aarestimin e Alban Muço dhe vendosi masën e sigurisë “arrest me burg”, duke vlerësuar rrezikun e lartë shoqëror dhe mundësinë e ndikimit në hetimet në vijim.
BalkanWeb