Florjan Binaj, aktori i njohur dhe kandidati për bashkinë e Tiranës i mbështetur nga opozita, ka festuar sot 40-vjetorin e lindjes me një mesazh të gjatë dhe emocional, të publikuar në rrjetet sociale.
Në këtë reflektim personal, Binaj shpreh mirënjohjen për të gjithë njerëzit që kanë ndikuar në rrugëtimin e tij jetësor dhe profesional, nga shokët e fëmijërisë në lagjen Allias, mësuesit dhe kolegët artistë, te familja dhe bashkëshortja e tij, Sadina, me të cilën ka tre fëmijë.
“Unë nuk do isha ky që jam pa çdo bashkëudhëtar të jetës time,” shkruan Binaj, duke kujtuar me nostalgji periudha kyçe si koha në Liceun Artistik, Akademinë e Arteve, përvojën e gjatë në televizion, si dhe projektet në radio.
Ai ka vlerësuar gjithashtu figurat që e kanë frymëzuar në fushën e artit dhe humorit, si Koço Devole, Zef Deda, Gëzim Kruja e të tjerë, ndërsa ka falënderuar edhe ata që e kanë sfiduar gjatë jetës, duke thënë se “falë tyre zbulova sa i fortë jam”.
Në fund të mesazhit, Binaj thekson rëndësinë e familjes dhe vlerave të trashëguara nga prindërit e tij, duke mbyllur postimin me fjalët:
“Faleminderit që më keni bërë ky që jam. Ju dua shumë!”
Florjan Binaj, i njohur prej dy dekadash në skenën e humorit dhe medias shqiptare, është një prej figurave publike më të ndjekura dhe aktualisht angazhuar edhe në politikë, si kandidat për kryebashkiak i Tiranës.
BalkanWeb