Në një kërkesë për shkarkim pas dekretimit të zgjedhjeve në Tiranë, Partia Demokratike rendit shtatë shkelje të Kushtetutës nga presidenti Bajram Begaj, mes së cilave pranimin e pagesave nga një spital privat si dhe lidhjen e kontratave të sigurimit me kompaninë ku punonte i biri.
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj u akuzua nga Partia Demokratike në opozitë të mërkurën se kishte përfituar pagesa nga një spital privat në Tiranë, në shkelje të Kushtetutës, si dhe kishte kontraktuar kompaninë ku është punësuar i biri, nën dyshimet për konflikt interesi.
Akuzat janë pjesë e një kërkese të Partisë Demokratike për fillimin e procedurës parlamentare për shkarkimin nga detyra të presidentit Begaj, pas dekretit kontrovers që ai nënshkroi për të caktuar mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme në Tiranë, pavarësisht se kryebashkiaku Erion Veliaj kishte dorëzuar një padi në Gjykatën Kushtetuese.
Sipas kreut të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, kreu i shtetit ka kryer shtatë shkelje të rënda të Kushtetutës së Shqipërisë, duke përfshirë dekretimin e zgjedhjeve të pjesshme në Tiranë si dhe një kërkesë për përfundimin e mandatit të një anëtari të Gjykatës Kushtetuese.
Kërkesa e PD-së denoncon gjithashtu “një konflikt permanent interesi” të Presidentit për përfitime personale të tij dhe të të birit në shkelje të Kushtetutës.
“Ka vijuar të ushtrojë detyra publike në Akademinë e Forcave të Armatosura dhe veprimtari private në Spitalin Acibadem në kundërshtim me detyrimin e tij kushtetues për të hequr dorë nga çdo lloj detyre publike apo veprimtarie private…,”-thuhet në kërkesë.
Neni 89 i Kushtetutës i ndalon Presidentit të Republikës që të mbajë detyra të tjera publike, të jetë anëtar i ndonjë partie ose të kryejë veprimtari të tjera private.
Por pavarësisht këtij detyrimi, Begaj ka deklaruar në Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, ILDKPKI, interesa të tjera private përveç detyrës së Presidentit.
Në deklarimet e viteve 2022 dhe 2023, Begaj ka deklaruar të ardhura nga spitali privat “Acibadem” në Tiranë në vlerën totale të 4398 eurove. Presidenti ka deklaruar gjithashtu të ardhura nga Akademia e Forcave të Armatosura për vitet 2022 dhe 2024 në vlerën e 252,130 lekëve gjithsej.
Bardhi e akuzoi gjithashtu presidentin se kishte kultivuar një lidhje të konfliktit të interesit me kompaninë ku ishte punësuar i biri. Sipas të dhënave nga ILDKPKI, djali i Presidentit, Klajdi Begaj është i punësuar në kompaninë e sigurimeve, ANSIG sh.a me një pagë vjetore neto prej 30 mijë eurosh.
Presidenca e ka kontraktuar kompaninë ANSIG sha për polica sigurimi shëndeti dhe automjetesh me një vlerë totale prej 1.3 milionë lekësh gjatë viteve 2022-2025, sipas të dhënave të siguruara nga Thesari i Shtetit.
Sipas opozitës, këto veprime “cënojnë parimin e konkurrencës së lirë, në drejtim të barazisë së pjesëmarrësve në kontrata publike, duke i akorduar kompanisë private, ku rezulton i punësuar i biri, të gjitha prokurimet publike në fushën e sigurimeve në kushtet e konfliktit faktik të interesit”.
Opozita i sheh këto veprime si cënim i rëndë i besimit të publikut të figura e Presidentit, pasi “krijojnë perceptimin tek qytetarët e përdorimit të funksionit publik për përfitime personale”.
Përmes një njoftimi për shtyp, Presidenti Bajram Begaj* zgjodhi të mos komentojë kërkesën e Partisë Demokratike për shkarkimin e tij, por i konsideroi pretendimet rreth fakteve si të pavërteta. Ai shtoi gjithashtu se ndjehet i obliguar që t’i përgjigjet Parlamentit me “seriozitetin dhe ndershmërinë” që imponon kjo procedurë.
“Presidenti i Republikës pret që Parlamenti të hetojë rreth tyre me profesionalizëm dhe transparencë të plotë. Kjo nuk duhet bërë si obligim ndaj postit të lartë të Kreut të Shtetit, por si detyrim ndaj të vërtetës dhe interesit të publikut,” tha Begaj.
Në kërkesën për shkarkim, Partia Demokratike pretendon gjithashtu se Begaj ka dekretuar në mënyrë antikushtetuese ligjin për komisionet hetimore, ministren virtuale “Diella” si dhe ka refuzuar që të ndalojë përfshirjen e trupit diplomatik në fushatë elektorale, ndërsa ka ndërhyrë në administrimin e procesit zgjedhor nëpërmjet kabinetit të tij.
Pretendimi i fundit lidhet me faktin që këshilltari i tij ligjor Ilir Rusmaili është njëkohësisht anëtar i Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve, një organ i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve.
Bardhi deklaroi se kjo nuk është betejë politike e opozitës me Presidentin, të cilin e portretizoi si një “besnik” të kryeministrit Edi Rama dhe Partisë Socialiste.
Sjellja e tij, sipas kreut të grupit parlamentar, ka bërë që Presidenti të humbasë funksionin e tij si pushtet neutral mbi palët dhe si përfaqësues i unitetit kombëtar.
Partia Socialiste e quajti kërkesën e opozitës të pabazuar.
Kryetari i Grupit Parlamentar, Taulant Balla, tha të mërkurën se Begaj, “nuk ka kryer asnjë shkelje të Kushtetutën dhe nuk do të shkarkohet”, ndërsa të dhënat për përfitimet private të Presidentit i cilësoi si “thashetheme”./ BIRN
BalkanWeb