Këshilli i Legjislacionit zhvilloi mbledhjen e radhës, ku në rend të ditës ishte vijimi i shqyrtimit të kërkesës së grupit parlamentar të Partisë Demokratike për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit Niko Peleshi.
Dy relatorët, Ivi Kaso dhe Damian Gjiknuri paraqitën qëndrimet e tyre mbi çështjen.
Si përfaqësues i PD, Kaso tha se opozita kërkon shkarkimin e kryetarit të Kuvendit për shkelje të rënda të Kushtetutës të Rregullores së Kuvendit, veçanërisht veprimet dhe mënyra e drejtimit të seancës të cilat i ka konsumuar në datën 16 dhe 18 shtator.
“Konkretisht shkeljet janë të rënda që përfshijnë edhe shkeljen e Kushtetutës dhe shkeljen e Rregullores së Kuvendit, veçanërisht në thirrjen e mbledhjes së seancës plenare, shkelje që kanë të bëjnë me futjen në rendin e ditës, shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar të ndryshimeve në rregulloren e Kuvendit, të cilat kanë qenë propozim i grupit parlamentar të PS-së, sikundër edhe miratimi që është bërë po në të njëjtën seancë”, u shpreh Kaso.
Sipas tij, të gjitha këto shkelje të rënda, i kanë pamundësuar, jo vetëm opozitës parlamentare, por edhe qytetarëve shqiptarët, i kanë mohuar një njohje substanciale të ndryshimeve të propozuara, por mbi të gjitha dhe një debat të qenësishëm, në seancën ku do të prezantoheshin prioritetet e qeverisë.
Kaso shtoi se kryetari i Kuvendit në shkelje flagrante të Kushtetutës dhe Rregullores, për drejtimin e kësaj seance, zgjodhi të vinte interesin partiak të mazhorancës, përkundër interesit të qytetarëve. “Dhunoi të drejtat e opozitës parlamentare”, tha ai ndër të tjera.
Gjiknuri u shpreh se kërkesa e opozitës nuk ka thelb dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese e mbështesin këtë.
“Aspekti shtatëditor nuk është fare shkelje e karakterit kushtetuese që të motivojë këtë kërkesë për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit. Pretendimi nuk qëndron dhe duhet rrëzuar. Ne do t’u bëjmë thirrje deputetëve që ta rrëzojnë”, tha Gjiknuri.
Në përfundim u vendos që palët të marrin kohën e nevojshme dhe në mbledhjen e radhës të vijohet me paraqitjen e raporteve.
BalkanWeb