Ditmir Bushati: Fatos Nano realizoi për herë të parë dorëzimin paqësisht të pushtetit, personaliteti i tij la një gjurmë të thellë tek unë

Në një mesazh në rrjetin social facebook, ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka vlerësuar figurën e ish-kryetarit të PS Fatos Nano i cili u nda sot nga jeta në moshën 73-vjeçare.

Bushati shkruan se personaliteti i tij la një gjurmë të thellë tek ai, si një njeri që, pavarësisht shumë nuancave gri që i ngjyrosin jetën, jam i bindur se do të konsiderohet nga historia si një burim frymëzimi për të gjithë ata që dëshirojnë të ndërtojnë një Shqipëri demokratike.

“Fatos Nano ka meritën e jashtëzakonshme që transformoi Partinë Socialiste, nga partia më staliniste në Europë, në partinë e vetme në Shqipëri, me jetë të gjallë demokraktike. Pavarësisht luhatjeve të PS-së gjatë viteve të para të tranzicionit, në raport me NATO-n, Këshillin e Europës, Ballkanin, apo dogmat e marksizmit që ishin ende në programin e saj për shkak të nostalgjikëve të dikurshëm, Fatos Nano luajti një rol të jashtëzakonshëm, edhe nga burgu politik ku qëndroi padrejtësisht, për ta reformuar PS-në në drejtimin e duhur”, thotë Bushati në mesazhin e tij.

Mesazhi i plotë

Fatos Nano mbylli sytë sot përgjithnjë!

Është e vështirë të shkruash për jetën dhe karrierën politike e shtetërore të një personaliteti si Fatos Nano. Përshkrimi që ish presidenti francez François Mitterrand i bënte jetës së tij politike si: “as e bardhë as e zezë, por domosdoshmërisht gri, me fije të bardha dhe të zeza”, duket se vlen edhe për përmasat politike të Fatos Nanos.

Unë nuk jam historian dhe ky shënim nuk merr përsipër të japë një përshkrim të plotë të trashëgimisë politike e shtetërore të Nanos, inteligjencës së tij të jashtëzakonshme dhe kthesave të papritura të karrierës së tij. Megjithatë, nuk mund të shmang faktin se personaliteti i tij la një gjurmë të thellë tek unë. Një njeri që, pavarësisht shumë nuancave gri që i ngjyrosin jetën, jam i bindur se do të konsiderohet nga historia si një burim frymëzimi për të gjithë ata që dëshirojnë të ndërtojnë një Shqipëri demokratike.

Fatos Nano ka meritën e jashtëzakonshme që transformoi Partinë Socialiste, nga partia më staliniste në Europë, në partinë e vetme në Shqipëri, me jetë të gjallë demokraktike. Pavarësisht luhatjeve të PS-së gjatë viteve të para të tranzicionit, në raport me NATO-n, Këshillin e Europës, Ballkanin, apo dogmat e marksizmit që ishin ende në programin e saj për shkak të nostalgjikëve të dikurshëm, Fatos Nano luajti një rol të jashtëzakonshëm, edhe nga burgu politik ku qëndroi padrejtësisht, për ta reformuar PS-në në drejtimin e duhur.

Botëkuptimi i tij liberal, kapaciteti intelektual dhe mendja e shpejtë simbolizohen tek deviza e tij: “të sakrifikojmë pushtet për të bërë shtet”. Fatos Nano ndau pushtet dhe përgjegjësi me personalitete politike brenda partisë dhe spektrit politik nga qendra në të majtë. Ai nuk iu nënshtrua impulseve të hakmarrjes ndaj kundërshtarëve të tij politik dhe as ndaj rivalëve apo kritikëve në parti. Fatos Nano realizoi për herë të parë dorëzimin paqësisht të pushtetit, duke organizuar zgjedhje të lira. Kësisoj ai themeloi institucionin e dorëheqjes dhe përgjegjësisë politike, duke siguruar një vend të rëndësishëm në histori.

Natyrisht, qeverisja e tij nuk ishte e imunizuar nga veset dhe fenomenet gërryese të korrupsionit e krimit të organizuar. Por, progresi demokratik i vendit, marrëveshtjet politike me kundërshtarët që e burgosën, të cilat prodhuan instiucione me bazë të gjerë politike, edhe sot e kësaj dite mbeten prova më e pakundërshtueshme e kontributit të paçmuar të Fatos Nanos.

Është për të ardhur keq që PS-ja dhe Fatos Nano nuk arritën të krijojnë një raport të shëndetshëm institucional pas dorëheqjes së tij në 2005. Do të ishte në nderin e PS-së ta kandidonte për president në 2007 dhe 2012. Gjithashtu, brezat e rinj në PS do të duhet të përfitonin nga eksperienca e tij politike, si shenjë pjekurie dhe përgjegjshmërie e një force politike që ndërton brezat e udhëheqësve të ardhshëm, duke vlerësuar traditën politike dhe çimentuar të menduarit në mënyrë kritike.

Nderim dhe respekt për Fatos Nanon! U prehtë në paqe🙏

 

 


Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×