
Federata Shqiptare e Volejbollit ka reaguar për here të parë zyrtarisht nëpërmjet një interviste ekskluzive të dhënë për gazetaren Trevisa Tufa në rubrikën Sport News në News 24, lidhur mbi çështjen e pezullimit të volejbollistes braziliane Nayara Ferreira, pas dyshimeve të disa klubeve se kemi të bëjmë me një rast që shkel rregullat e barazisë së garës sportive.
Sekretari i Përgjithshëm i Federatës së Volejbollit, Ervis Dosti ka sqaruar shprehimisht se si ka nisur e gjithë çështja që përfshiu lojtaren, federatën dhe klubin ‘Dinamo’. Gjithashtu, Dosti u ndal të fliste edhe për analizat që i janë kërkuar volejbollistes si edhe mundësinë që ajo ka për të luajtur në vazhdim dhe për t’ju hequr pezullimi.
Z.Dosti, dua të ndalemi fillimisht si është fillimi i kësaj historie, pse vendosët të pezulloni volejbollisten Ferreira? Si ka qenë fillimi i gjithë kësaj zanafille le të themi që ka ardhur deri në ditën e sotme?
Siç e cekët edhe ju, kemi të bëjmë me një çështje shumë sensitive dhe të ndjeshme, jo vetëm për ambientin tonë sportiv por edhe më gjerë. E gjithë kjo situatë ka nisur në fillim të muajit të kaluar, ku kemi patur dy indicie, dy shkresa zyrtare nga dy klube dhe shoqata të cilat marrin pjesë në kampionatin kombëtar shqiptar të volejbollit, liga femra, të cilët kanë shfaqur pretendimet dhe arsyetimet e tyre që kemi të bëjmë me një sportiste e cila nuk është e përshtatshme për të luajtur në këtë kategori dhe në këtë disiplinë.
Dua që ta theksoj që në fillim që nuk kemi të bëjmë me një pezullim të sportistes e cila mendohet apo dyshohet që nuk është e përshtatshme gjenetikisht. Pra e gjithë kjo është më tepër një fluskë sapuni e ngritur jashtë kontekstit sportiv.
Ju e përmendët pak më përpara që ka pasur edhe indicie nga klubet që kanë sjellë shkresa në Federatën tuaj, por dyshime mund të ketë çdokush për çdokënd. Është normale të kryhet një test gjinie vetëm në bazë të një dyshimi nga një person apo qoftë një klub?
Përcaktimi test gjinor në vetvete është term i referuar nga mjekësia përkatëse ku në vetvete ka të bëjë me dy komponentë. Përcaktimin e ekzistencës ose jo të kromozonit Ypsilon në bazë të testit SR Ypsilon, por mbi të gjitha ka të bëjë me komponentin e dytë që është ekzistenca ose jo e nivelit të lartë të testosteronit te femrat në rastin konkret. Që në krye të herës bordi drejtues i Federatës ka krijuar një grup pune i përbërë nga një autoritet dhe përfaqësues i Federatës Shqiptare të Volejbollit, një përfaqësues nga Agjencia Kombëtare e Sportit, një mjek, dhe mbi të gjitha për të qenë sa më të hapur dhe transparent edhe mjeku i klubit të sportistes në fjalë.
Ajo që vlen për t’u theksuar është që grupi i punës ka patur për qëllim vetëm për ta shoqëruar sportisten në fjalë, apo dhe shoqëruar nga përfaqësues i klubit, në një institucion spitalor mbi të gjitha që është i njohur nga mjekësia sportive. Në asnjë moment Federata Shqiptare e Volejbollit nuk ka krijuar një lloj hamendëimi për të vënë në dyshim vërtetësinë e sportistes në fjalë. Ne gjithmonë i referohemi dokumentacionit zyrtar që vajza ka në dosjen e saj dhe në pasaportën e saj, siç është gjinia femërore.
Ndërkohë ka një zgjidhje për këtë çështjen e testosteronit në gjak, në rast se është mbi 5, ajo që lejon edhe federata ndërkombëtare e Volejbollit. Pra ka diçka që i jep një zgjidhje apo ndoshta thjesht sportistja nuk mund të luajë më volejboll?
Dhe kjo është shumë e përcaktuar. Siç e ceka edhe më sipër në rregulloren e IVB (Federata Botërore e Volejbollit), ku në raste të veçanta kur kemi të bëjmë me sportiste që kanë të bëjnë me një nivel të lartë të testosteronit, ajo i nënshtrohet ekzaminimeve të përshtatshme dhe kurave që janë më të specializuara që ndikojmë në uljen e testosteronit përkatës, duke e bërë atë të përshtatshëm për të luajtur në kategorinë specifike, për femra.
Ndërkohë Nayara ka mbi 15 vite karrierë, ka luajtur le të themi në vende pak më të mëdha se sa Shqipëria, si Spanja, Portugalia, dhe shumë vende të tjera, po përse lindën këto dyshime pikërisht për këtë lojtare. Keni komunikuar ju ndoshta edhe me Federata të tjera ku ajo ka qenë pjesë për këtë çështje, nëse ka pasur edhe në të kaluarën një rast të ngjashëm, por ndoshta nuk është bërë publike, pra po themi para se ju t’i kërkonit vetë lojtares në fjalë një test gjinie.
Është për t’u përmendur që Federata e Volejbollit Shqiptar ka pasur një korespondencë me Federatën Botërore të Volejbollit pasi siç e përmenda më sipër ky është rast i veçantë që përdoret si rast referimi jo vetëm në disiplinën e volejbollit por mendoj në të gjithë disiplinat sportive në Shqipëri. Por kjo nuk është një rast i kufizuar në arenën ndërkombëtare. Më lini të kujtoj një rast. Në Kampionatin Botëror U-19 për femra që u zhvillua në muajin gusht kemi patur pikërisht të njëjtin rast. Ku përfaqësuesja e ekipit të Serbisë ngriti një reklamim dhe pretendim për dy sportiste të ekipit të Vietnamit. Këto dy sportiste u pezulluan pasi njëra ishte me prezencë të kromozonit Ypsilon, kurse sportistja tjetër ishte me nivel të lartë të testosteronit në trupin e saj. Pra kemi të bëjmë me të dyja rastet që janë pjesë e përcaktimit të përkatësisë gjinore në një disiplinë sportive.
Ndërkohë ju keni kontaktuar së fundmi me volejbollisten në fjalë, me Nayarën, ose ndoshta edhe më përfaqësues të saj dhe si do vijojë kjo çështje në vazhdimësi?
Federata Shqiptare e Volejbollit gjatë gjithë kësaj kohe ka qenë në kontakt dhe në bashkëbisedim me përfaqësues të shoqatës dhe ekipit sportiv por edhe nga ana e tyre është vërejtur një lloj mosdakordësie, mendoj mospranimi i të gjithë kësaj situate, pasi pretendojnë se kemi të bëjmë me një lloj diskriminimi. Ne mbetemi në pritje që sportistja në fjalë të kryejë këtë ekzanimin mjekësor laboratorik dhe gjithçka të kthehet në normalitet dhe sportistja besoj të kthetet në fushën e lojës deri në përgjigjen dhe daljen e rezultateve.
Dosti unë të falenderoj shumë që ishte sot pjesë e Sport News për të dhënë edhe ju vetë anën tuaj të historisë. Ishte vërtetë kenaqësi.
Faleminderit edhe ju për mundësinë që na krijuat në mënyrë që edhe ne të shprehim ato qëndrimet tona. Por mbi të gjitha të krijojmë një lloj harmonie dhe një lloj bashkëpunimi jo vetëm në pjesën institucionale mes shoqatave që ne kemi aktorë dhe partnerë por edhe për publikun e gjerë. Faleminderit.
and then