
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar përmes një videoje të publikuar nga makina e saj, ku ka komentuar ashpër të ashtuquajturën “paqë fiskale” të qeverisë, që sipas saj nuk është gjë tjetër veçse një amnisti fiskale në favor të borxhlinjve të mëdhenj.
“Qeveria pranon publikisht se sistemi progresiv me gjashtë nivele ka dështuar,” tha Tabaku, duke shtuar se si rezultat i këtij dështimi janë akumuluar 17 miliardë euro borxhe nga mbi 200 mijë biznese ndaj Drejtorisë së Tatimeve. Sipas saj, 60% e këtyre bizneseve kanë mbyllur aktivitetin, ndërsa pjesa tjetër ka vijuar të operojë pa u ndëshkuar.
Deputetja demokrate ngriti disa pyetje të forta që kërkojnë transparencë dhe debat publik: “Çfarë ndodh me barazinë para ligjit? A po ndëshkohen ata që i kanë paguar taksat rregullisht? Kush janë përfituesit më të mëdhenj të kësaj amnistie? A ekziston një listë e plotë e bizneseve që përfitojnë?”
Tabaku theksoi se ky akt nuk sjell drejtësi fiskale, por krijon precedent të rrezikshëm që nxit mosrespektimin e ligjit në të ardhmen:
“Në vend që të forcojë sistemin, qeveria po dërgon mesazhin se kush nuk paguan, përfiton. Kjo është një padrejtësi për çdo qytetar e biznes që i ka paguar taksat me ndershmëri.”
Në përfundim, ajo kërkoi transparencë të plotë, debat publik dhe mbajtje përgjegjësie për borxhin e akumuluar ndër vite, duke paralajmëruar se opozita do ta kundërshtojë këtë amnisti që favorizon të fortët dhe penalizon të ndershmit.
and then