
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, mori pjesë në edicionin e 10-të të Shkollës së Integrimit Evropian, ku foli për perspektivën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe rolin e shoqërisë shqiptare në këtë proces.
Në fjalën e tij, Gonzato theksoi se integrimi në Bashkimin Evropian është një projekt mbarëshoqëror, që kërkon përfshirjen e të gjitha forcave politike dhe të qytetarëve.
“Secili prej jush ka mundësi të kontribuojë në integrimin në BE. Shqipëria ka nevojë për këtë kontribut, sepse siç thuhet në raportin e anëtarësimit integrimi është një projekt që duhet të ketë autorësi jo vetëm të qeverisë, por edhe të opozitës, qytetarëve dhe komuniteteve lokale,” deklaroi ambasadori.
Ai shtoi se procesi i integrimit duhet të mbështetet nga legjitimiteti demokratik dhe konsensusi politik e shoqëror, duke vlerësuar energjinë dhe angazhimin e brezit të ri.
“Duke parë një grup kaq të larmishëm e të ri, besoj se këto fjalë gjejnë jehonë,” u shpreh Gonzato.
Ambasadori vuri në dukje se Shqipëria po hyn në një fazë thelbësore të anëtarësimit, ndërsa po vijon me çeljen e të gjithë grupkapitujve të negociatave.
Sipas tij, kjo është një arritje e qartë, por faza e ardhshme do të jetë më e vështirë, pasi mbyllja e kapitujve kërkon përmbushje të plotë të reformave dhe përshtatje me ligjin evropian.
“Ky është momenti kur Shqipëria do të vihet në sprovë për të zbatuar reformat në përputhje me ligjin evropian. Për të mbyllur negociatat në vitin 2027, nevojiten fokus, qasje gjithëpërfshirëse dhe vendosmëri,” theksoi Gonzato.
Në përfundim, ai nënvizoi se urgjenca e reformave nuk duhet të jetë në kurriz të cilësisë, pasi integrimi në BE “nuk është një listë detyrash për t’u shënuar”.
“Anëtarët e BE presin që Shqipëria të arrijë një zbatim konsistent dhe në kohë të reformave që sjellin përfitime konkrete për qytetarët në jetën e përditshme,” përfundoi ambasadori Gonzato.
and then