
Policia e Korçës ka finalizuar operacionin e koduar “Mashtrimi”, duke vënë në pranga një 48-vjeçar të shpallur më parë në kërkim për vepra penale të mashtrimit dhe vjedhjes.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë dhe bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, lokalizuan dhe arrestuan shtetasin J. M., 48 vjeç, banues në Korçë, i cili fshihej në një banesë të braktisur në lagjen nr. 4 të qytetit.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pas kallëzimeve të bëra më datë 21.10.2025, nga gjashtë qytetarë, të cilët kanë deklaruar se janë mashtruar prej tij. Sipas kallëzuesve, J. M., duke shfrytëzuar njohjet e tij familjare dhe shoqërore, u kishte marrë shuma të ndryshme parash me pretendime të rreme.
Hetimet zbuluan gjithashtu se më datë 08.11.2025, i njëjti shtetas kishte hyrë në ambientet e një restoranti në lagjen nr. 7 të Korçës, nga ku kishte vjedhur 70.000 lekë nga arka e lokalit dhe më pas ishte larguar.
Pas lokalizimit të tij, policia ndërhyri duke e kapur dhe ndaluar në banesën ku fshihej.
Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme ligjore ndaj 48-vjeçarit.
and then