
Në Asamblenë e Unionit më të madh në botë të partive të qendrës së djathtë (CDI), e cila zhvilloi punimet në Sao Paulo, Brazil, u miratua rezoluta e pestë e fuqishme për situatën politike në Shqipëri, ndërsa Kryetari i PD, Sali Berisha, u zgjodh Zëvendëspresident i organizatës.
Rezoluta ngre alarmin për regresin e thellë demokratik në vend, përqendrimin ekstrem të pushtetit në duart e qeverisë, shkrirjen parti–shtet dhe depërtimin e krimit të organizuar në institucionet publike. Dokumenti thekson se zgjedhjet e 11 majit, sipas OSBE/ODIHR, u karakterizuan nga keqpërdorim masiv i burimeve publike, blerje votash, intimidim dhe drejtësi selektive, duke cënuar garën e lirë dhe të ndershme.
CDI paralajmëron se kapja e shtetit, kontrolli mbi institucionet e drejtësisë, pengimi i komisioneve hetimore parlamentare dhe ndikimi i krimit në ekonomi e zgjedhje e afrojnë Shqipërinë me një model narko–autoritar, i cili paraqet rrezik serioz për sigurinë rajonale dhe procesin e zgjerimit të BE-së.
Rezoluta i bën thirrje BE-së dhe SHBA-ve që procesi i integrimit të Shqipërisë të kushtëzohet me progres të matshëm në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe integritetin zgjedhor; kërkon vendosjen e sanksioneve të targetuara ndaj individëve të përfshirë në krim të organizuar dhe korrupsion, si edhe mbështetjen për krijimin e një qeverie teknike që garanton zgjedhje të besueshme.
CDI shpreh solidaritet me qytetarët shqiptarë dhe forcat demokratike që punojnë për rikthimin e pluralizmit, llogaridhënies dhe vlerave evropiane.
and then