
Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në emisionin “Studio24”, ka bërë deklarata të forta në lidhje me mungesën e transparencës në disa nga projektet më të mëdha infrastrukturore në vend, duke theksuar se sulmi ndaj News24 në gusht të këtij viti ishte tentativë që të pengohet puna e gazetarëve që investiguan abuzimet.
Lala u ndal veçanërisht te tuneli i Llogarasë, ku tha se ka pasur vështirësi serioze në sigurimin e dokumenteve të mbikëqyrjes, pavarësisht se një prej personave të përfshirë në procedurat e tenderit kishte ngritur alarmin për çështje sigurie.
“Duhet të kisha një dosje të supervizimit për pjesën e tunelit të Llogarasë, ku një prej personave të përfshirë në tender ngrinte alarmin për sigurinë. Në pamundësi për ta pasur atë material, më është dashur të bëj një punë të madhe për të zbuluar se deri ku shkonte abuzimi,” u shpreh ajo.
Gazetarja tha se sulmi ndaj News24 në gusht ilustron përpjekjet për të kufizuar aksesin e medias në informacion dhe për të “mbyllur gojën e gazetarëve”.
Lala rikujtoi gjithashtu denoncimet e saj për abuzimet me tenderin e rrugës Qukës–Qafë Plloçë, një projekt që sipas saj ka shkaktuar miliona euro dëm në buxhetin e shtetit, duke favorizuar një grup biznesmenësh.
“Ajo rrugë po i zhvaste buxhetit miliona euro duke pasuruar një grup biznesmenësh dhe nuk plotësonte asnjë standard. Sot jemi përballë një skandali ku rruga nuk kalohet, kanë rënë tonelata me gurë dhe tani duhet paguar sërish për ta pastruar,” theksoi gazetarja.
Sipas saj, situata e ngjashme është përsëritur edhe në rrugën Kardhiq–Delvinë dhe më pas në projektin e tunelit të Llogarasë, ku mungesa e kontrollit dhe mbikëqyrjes cilësore ka krijuar dyshime për përfitime të padrejta.
Duke folur për sistemin e tenderave publikë, Lala u shpreh se procedurat shpesh kalojnë vetëm nëse zyrtarët përfitojnë diçka personalisht.
“Një zyrtar nuk përcakton një tender pa patur një përfitim personal material,” tha ajo.
Sipas Lalës, qeverisja është bërë gjithnjë e më arrogante dhe mungesa e transparencës është kthyer në një praktikë të zakonshme që pengon kontrollin publik dhe median.
and then