“Çfarë ka ndodhur me vjeljen e 120 mln eurove nga Bankers?!” Shehaj-ministrit Malaj: Je trembur kur të erdhi SPAK-u në zyrë

Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, zhvilloi një debat të fortë në Kuvend me ministrin e Financave, Petrit Malaj, duke e akuzuar atë për heshtje dhe mungesë transparence lidhur me hetimet për vjeljen e 120 milionë eurove nga kompania “Bankers Petroleum”.

Shehaj deklaroi se ministria nuk mund të sillet sikur nuk është në dijeni të situatës, sidomos tani që, sipas tij, SPAK ka ushtruar kontrolle në institucion.

“120 milionë euro, zoti ministër. Nuk mund të bëni sikur nuk dini gjë. Edhe ti do jesh trembur kur SPAK-u ka ardhur në zyrë. Nuk është çështja pse kanë ardhur, por pse ti pyet pse kanë ardhur. Ty po të kapin menjëherë,” tha Shehaj.

Ai pohoi se SPAK ka vizituar ministrinë për të kërkuar informacion mbi pagesat e pretenduara që shteti duhej të përfitonte nga Bankers, duke e akuzuar ministrin për mungesë përgjigjesh.

“SPAK ka ardhur në zyrat e Ministrisë së Financave dhe ju kërkon llogari për vjeljen e 120 milionë eurove nga Bankers. Keni përgjigje apo do heshtni?”

Shehaj theksoi se qeveria është “shpartalluar” dhe se askush nuk flet më për çështje kyçe financiare.

Ai kërkoi sqarime të qarta lidhur me fonde që, sipas tij, nuk janë mbledhur nga shteti, duke përmendur edhe një urdhër të ministres Belinda Balluku që, sipas deklaratave të tij, i ka kërkuar administratës të mos i vjelë këto fonde.

“Këto 120 milionë euro, duke ditur që SPAK po heton dhe duke ditur se ka një urdhër nga Balluku: janë vjelë apo jo? Nëse jo, çfarë po ndodh me këto para?”



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×