
Më 7 dhjetor në Abu Dabi vendoset një nga kampionatet më të hapura të viteve të fundit në Formula 1. Në garën e fundit përballen tre pretendentë për titullin: Lando Norris, Maks Vershtapen dhe Oskar Piastri. Janë 58 xhirot e fundit të Botërorit 2025, ku nuk falet asnjë gabim. Por cilat janë avantazhet dhe dobësitë e secilit pilot në këtë finale të kampionatit?
NORRIS – Lando mbërrin me 12 pikë epërsi, një diferencë që i lejon të mos rrezikojë më tepër sesa duhet. MekLaren i ka dhënë një makinë të qëndrueshme dhe shumë të fortë në ritmin e garës, dhe në javët e fundit britaniku ka qenë i saktë në të gjitha fazat: kualifikime, nisje, menaxhim gomash. MCL39 është aktualisht makina më e balancuar dhe Norris e njeh mirë presionin e kësaj piste. Për sa i përket dobësive, presioni i të qenit lider mund ta shtyjë të garojë me frikë, duke parë rivalët në vend që të ndërtojë garën e tij. MekLaren ka shfaqur vështirësi me menaxhimin e gomave e pasme në Abu Dhabi dhe prania e Piastrit si rival brenda ekipit mund ta ndërlikojë skenarin taktik. Psikologjikisht, është shansi i jetës dhe kjo mund të rëndojë pilotin britanik.
VERSHTAPEN – Maks vjen pa presion, pasi nuk ka asgjë për të humbur. Në 8 garat e fundit ka rikuperuar mbi 100 pikë, duke treguar ritëm të frikshëm, si një peshkaqen. Red Bull është përmirësuar në pistat me ritëm të ngadaltë dhe të mesëm, dhe Vershtapen është mjeshtër në situata me tension të lartë, si në 2021. Por disavantazhi prej 12 pikësh e detyron të sulmojë duke shmangur gabimet, gjë e vështirë në dyluftime. Red Bull ka pasur luhatje me konsumimin e gomave dhe fati i Maksit varet edhe nga rezultatet e rivalëve. Edhe Piastri, duke luftuar për vete, mund t’i heqë pikë jetike piloti holandez.
PIASTRI – Oskar vjen i çliruar, pa presion titulli, dhe ritmi i tij në Katar tregoi se është rikthyer në formë. Sezoni i tij ka qenë mbi pritshmëritë dhe mentaliteti “s’kam çfarë humbas” mund ta shtyjë të sulmojë fort. Por mungesa e përvojës në një finale botërori është handikapi kryesor. Duhet të balancojë rolin e rivalit dhe atë të shokut të skuadrës së Norrisit. Për më tepër, “Yas Marina” kërkon menaxhim të shkëlqyer të gomave, një zonë ku ai ka qenë i paqëndrueshëm. Edhe një garë perfekte mund të mos mjaftojë për australianin e MekLarenit.
VERDIKTI – Lando Norris ka epërsinë, Maks Vershtapen ka instinktin, ndërsa Oskar Piastrit i duhet një mrekulli. Në Abu Dabi pritet të jetë një finale me tension maksimal, ku një detaj mund të vendosë fatin e garës dhe të Botërorit 2025.
and then