
Emisioni investigativ Vetting, News24
Më 12 maj 2022, në Kryeministri në adresë të Sekretarit të Përgjithshëm Engjëll Agaçi do të mbërrinte një letër nga drejtori i Ndërmarrjes Rruga, Alion Hysko. Në letër evidentohej se ishin pezulluar ndërtimet në trupin e digës së rezervuarit Xhafzotaj në Durrës, të cilat lidhen me projektet e Operatorit të Sistemit të Transmetimit OST. Duke qenë se kompetencat për këto investime lidhen me lejet nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit, në lojë hyn edhe Këshilli Kombëtar i Territorit, duke ia kaluar për kompetencë Sekretarit të Përgjithshëm në Kryeministri.

Vetë letra e dërguar paraqet problematikën se si është vepruar në shkelje të mundshme të ligjit me investimet te Operatori i Sistemit të Transmetimit nga qeveria shqiptare dhe zv.kryeministrja, njëkohësisht ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku. Kjo e fundit është pezulluar nga detyra prej Gjykatës së Posaçme Kundra Krimit dhe Korrupsionit të Organizuar për akuzat nga SPAK për shpërdorim detyre dhe paracaktim tenderash në grup.
Letra për digën e Xhafzotaj lidhet me vendimin nr. 17, datë 17.03.2021 të Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, por paraqet problematikë të ngjashme ashtu si vendimi nr. 16, datë 17.03.2021 i AZHT-së pasi ky i fundit është kallëzuar në Prokurorinë e Tiranës.
Të dyja vendimet problematike janë pjesë e faktorëve që kanë shkaktuar avaritë me rënien e sistemit të transmetimit, pasiguritë në sektorin e energjisë, ku nga problem lokal i mungesës së energjisë elektrike për Shqipërinë u transformua në problem rajonal. Ky fakt evidentohet nga raportet e Operatorit të Sistemit të Transmetimit dhe Rrjeti panevropian i operatorëve të transmetimit të energjisë elektrike (ENTSO-E).
Konkretisht në 21 qershor 2024, në orën 12.09 sistemi elektrik i Europës Juglindore do të pësonte një ngjarje të rëndë me efekt domino, e cila përfundoi me një kolaps voltazhi dhe me humbje të mëdha ngarkese. Sipas ENTSO-E, kjo ngjarje u klasifikua si incident shkalle 3, me pasoja të ndjeshme për Malin e Zi, Bosnje-Hercegovinën, Kroacinë dhe Shqipërinë.

Zanafilla e fillimit të incidentit ishin dy stakime të linjave 400 kv për shkak të kontakteve me vegjetacionin. Në orën 12.09 u stakua linja e Malit të Zi Podgorica2-Ribarevine dhe në orën 12:21 linja e Shqipërisë Zemblak-Kardia, që lidh vendin tonë me Greqinë. Ky incident i rëndë hodhi sistemin drejt një serie shmangiesh mbrojtëse dhe shkaktoi një efekt domino te të tjera linja dhe si pasojë në përkeqësim të parametrave voltazh-frekuencë deri në kolaps rajonal sipas ENTSO-E.
Por përtej shkakut të parë që është kontakti me bimësinë, analiza e zgjeruar tregon një listë të gjatë faktorësh që ekspozuan cënueshmërinë e rajonit dhe lehtësinë më të cilën u rrëzua nga një seri ngjarjesh që ndodhën njëkohësisht. Raporti i ENTSO-E nxori në pah mungesën e kapacitetit për të siguruar mbështetje reagimi voltazhi, mungesën e detektimit të shkeljes së kushteve N-1 pas rënies së linjës së parë dhe projektime të ndryshuara për arsye pune dhe mirëmbajtjeje që ulën rezerven e sistemit.
Në këtë rast, roli i Shqipërisë dhe i Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST) është kompleks dhe i përbërë nga dy elementë, faktorët teknikë operacionalë që ndikuan drejtpërdrejt në dinamikën e incidentit dhe mangësitë institucionale që zbuluan raportet lokale (raporti i OST-së dhe auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit). Nga ana teknike, në ditën e incidentit kishte disa elemente të rëndësishme që e dobësuan sistemin shqiptar, disa lidhje kryesore ishin të stakuara për arsye pune dhe riparimesh (për shembull linja L400 Tirana2-Koman dhe disa segmente L220 për shkak të punimeve pranë autostradës Thumanë-Kashar), çka uli ndjeshëm rezervën e rrjetit për të përballuar problemin pavarësisht mangësive.
Vetë Operatori i Sistemit të Transmetimi raporton se pas stakimit të linjës Zemblak-Kardia pati ulje të theksuar tensionesh edhe në linjat Tirana2-Podgorica dhe Koplik-Tirana2 dhe brenda pak minutash ndodhi de-energjizimi i plotë për një pjesë të sistemit. Këto janë të dhëna që vijnë nga raporti i OST-së, që qëndrojnë në një linjë me raportin e ENTSO-E.
Raportet zbulojnë problemet afatgjata të institucioneve shqiptare që ndikuan në gatishmërinë e OST-së për projektin madhor të linjave dhe nënstacioneve (p.sh. projekti Tiranë-Rrashbull dhe projektet 400 kV) pasi janë vonuar, kanë kosto shtesë dhe në rastin e Rrashbull, OST-ja ka pasur mangësi në kolaudime, staf kolaudimi pa licenca dhe mungesë përfundimesh. Kjo mungesë korrelacioni midis planifikimit ditor dhe situatës operacionale, përforcoi shpejtësinë me të cilën problemi lokal shkurtim nga vegjetacioni u transformua në një ngjarje rajonale.
Sipas inxhinierit elektrik Azmer Duleviç, kur vjen puna për të marrë pagesat nga qytetari që mezi mbyll muajin, institucionet publike shkojnë edhe me polici, për të ndërprerë energjinë elektrike.
“Kur dëmtohet qytetari dhe institucionet duhet t’i japin llogari dhe ta dëmshpërblejnë, këtu pastaj fillojnë burokracitë që nuk mbarojnë kurrë dhe qytetarët, le të themi, mbeten me 0 lekë mbrapsht”, tha për “Vetting inxh. Duleviç.
Duleviç shton më tej se një ndër arsyet për problemet me transmetimin lidhet edhe me faktin se kemi 11 mijë transformatorë prej 38 vitesh pa u zëvendësuar me transformatorë të rinj.
Raporti i OST-së përshkruan se stakimi “tranzitor” i linjës Zemblak-Kardia ndodhi pas shkurtimit të distancës së përcjellësve me bimësinë në territorin shqiptar. Në të njëjtën kohë, ENTSO-E evidenton se rënia e parë (në Mal të Zi) dhe ajo e dytë (Zemblak-Kardia) ishin shkak të vegjetacionit pra kishte një element përbashkues rajonal të menaxhimit të vegjetacionit pranë linjave që nuk ishte adresuar si duhet.
Kjo tregon se edhe nëse origjina e goditjes së parë nuk ishte brenda territorit shqiptar, performanca e rrjetit shqiptar si mungesa e elementeve mbështetëse të voltazhit dhe punimet e hapura e bëri Shqipërinë më të ndjeshme ndaj valës së ngjarjeve dhe rezultoi në humbje të plotë (blackout) të pjesës së sistemit shqiptar për 20-30 minuta.
and then