
Armand Kullau – Vetting
Hoxhara, një tjetër aferë në OST me firmën e Ballukut
Një nga projektet që lidhet me projektet e mësipërme nëpërmjet Eficencës Energjetike është projekti për ndërtimin e linjës së re 220 kv dopjo qark Fier-Hoxharë, si dhe ndërtimi i nënstacionit të ri 220/110/20 kv Hoxharë, bashkë me dy dalje linje 220 kV me fond limit 1,36 miliardë lekë ose 13.6 milionë euro. Ky projekt është në qendër të vëmendjes sepse sipas burimeve konfidenciale për “Vetting”, projektimi i këtij tenderi ka shkelje të mundshme pasi mund të ketë kosto të tejfryrë nga kostoja reale.
Në janar 2023, do të shpallej fituesi i këtij fondi kompania “LA-OR” sh.p.k e Laert Duro me ofertë fituese 13,4 milionë euro. Gara për tenderin ka indicie për korrupsion pasi kompania tjetër konkurrente nuk kishte siguruar ofertën dhe automatikisht do të skualifikohej, duke hedhur dyshimet për tender të paracaktuar.
Sipas auditueses Meri Lika, në tenderat e shtetit ka abuzime në përgjithësi.
“Ka edhe vendosje të paracaktuara të kritereve për të përzgjedhur një person që e kanë paracaktuar që më përpara apo të kritereve absurde, të cilat mundet t’i ketë apo plotësojë vetëm një operator”, tha për “Vetting” audituesja Lika.
Madje në kundërshtim me atë që është përcaktuar në dokumentat e tenderit, është realizuar edhe një tender i dytë “Faza e dytë e punimeve në Nënstacionin 220/110/20 kv Hoxharë” me fond 178,7 milionë lekë ose 1.8 milionë euro shtesë, i fituar pa garë përsëri nga “LA-OR” shpk.
Sipas informacioneve që gjenden në dokumentat standarte të tenderit shtesë, duket qartë që janë punime, të cilat janë preventivuar edhe në tenderin e parë dhe rezulton pagesë e dyfishtë për punë të prokuruara njëherë. Kujtojmë se tenderi i parë ishte me çelësa në dorë dhe sipas këtij kushti, kontraktori është i detyruar të sigurojë plotësimin e objektit të kontratës, edhe sikur ndonjë punim apo pajisje nuk është përmendur në specifikimet e këtij kapitulli.
Ky tender edhe pse shpall ndërtimin e një nënstacioni 220/110/20 kV tërësisht të ri, në fakt nuk është kështu. Për këtë nënstacion do përdoret Autotransformatori 220/110/20 kV me fuqi 100 MËA i cili është pronë e Operatorit të Sistemit të Transmetimit dhe gjendet në nënstacionin e Rrashbullit, Durrës së bashku me pajisje të tjera të demontuara.
Sa më sipër rezulton që ndërtimi i linjës së re 220 kv dopjo qark Fier-Hoxharë me përcjellës, si dhe ndërtimi i nënstacionit të ri 220/110/20 kv Hoxharë, bashkë me dy dalje linje 220 kV, të realizohet me dy faza dhe jo vetëm me një fazë siç përcaktohej në tenderin fillestar. Kosto totale për ndërtimin e plotë të Linjës 220 kv dhe nënstacionit 220/110/20 Hoxharë, është 1,54 miliardë lekë ose 15,4 milionë euro e cila është shumatore e dy tenderëve.
Operatori i Sistemit të Transmetimit ka realizuar disa punë të ngjashme me fondet e veta dhe me financim nga KFW për ndërtimin e linjave 220 kv me dopjo qark dhe ndërtimin e nënstacioneve të reja 220/110/35/20 kV, të cilat janë indicie se kemi të bëjmë me një tender të mbifaturuar.
Shembull për këtë janë dy projekte, ku rasti i parë lidhet me ndërtimin e linjës 220 kV dopjo qark Komsi-Shumat me gjatësi rreth 50 km dhe vlerë 999,9 milionë lekë ose 10 milionë euro. Ky projekt është rreth 32 km më i gjatë se projekti i Hoxharës dhe vlera e ndërtimit në terren malor të thepisur është 20 milion lekë për km. Rasti i dytë është ndërtimi i nënstacionit 220/110/35 kv, Shumat dhe i traktit 220 kv në nënstacionin 220/110/10 kV, Komsi”, me vlerë 720 milionë lekë.
Nëse projektit i zbresim vlerën e Autotransformatorit përafërsisht 2.5 milionë Euro dhe e krahasojmë me vlerën e projektit në çështje, atëherë rezulton që ndërtimi nënstacionit të Hoxharës dhe linja 220 kv dopjo qark Fier-Hoxharë të jetë ndërtuar me dyfishin e vlerës që është ndërtuar linja 220 kV dopjo qark Komsi-Shumat.
Në këtë rast, për vlerën e Autotransformatorit kemi marrë si shembull të ngjashëm kontratën e realizuar përsëri nga kompania “LA-OR” shpk, për KESH-in me vlerë 243 milionë lekë ose 2.4 milionë euro.
Pra, duke analizuar këto procedura si nënstacioni në Fier, Unaza e Tiranës, në Rrashbull, Linja 220 e Koman-Tr 2 dhe mungesa e transformatorit 400 kv në Koman, si pasojë avaria zgjat prej më shumë se 4 vitesh. Të gjitha këto përveç menaxhimit, kanë cënuar edhe sigurinë e furnizimit të vendit me energji elektrike, të cilat faktohen nga raporti brenda OST-së.
Një ndër arsyet kryesore është fakti se në Shqipëri disa nga këto punime janë pa leje ndërtimi, edhe atje ku është dhënë leja e ndërtimit është dhënë në kundërshtim me dokumentacionin teknik dhe ligjor, siç është rasti i rezervuarit në Durrës, rezervuari i Xhafzotaj si dhe tenderat që bëhen me dyfishin e vlerës.
Në rastin e Hoxharës, tenderi është lidhur në shkurt 2023 dhe punimet kanë filluar përpara tetorit 2023, ndërkohë që vendimi për lejen është miratuar në tetor 2023 dhe leja është zbardhur në janar 2024.
Rezulton gjithashtu që për këtë projekt është kryer edhe Vlerësimi i Ndikimit të Mjedisit i thelluar për projektin me datë dorëzimi oferte 18 shtator 2023, ku është shpallur fituese “Xhekiola Beqiri” si Person Fizik. Afati për realizimin e VNM-së të thelluar ka qënë tre muaj pas firmosjes së kontratës e cila sipas parashikimeve të ligjit të Prokurimit Publik nuk mund të firmosej para muajit Tetor 2023. Kjo procedurë si pjesë e detyrueshme për miratimin e lejes së ndërtimit lidhet ngushtësisht me zbardhjen e lejes në 18 janar 2024.
Sa më sipër ekziston dyshimi se për projektin e Fier-Hoxharë, si dhe nënstacionin e të ri 220/110/20 kV Hoxharë, është shkaktuar dëm me fondet publike në vlerën rreth 500 milionë Lekë, pasi ndërtimi linjës 220 kV dopjo qark mund të realizohej në vlerën 4.1 milion Euro për 18.1 Km.
Konkretisht ky projekt ka filluar ndërtimet pa leje ndërtimi dhe dyshohet se leja e ndërtimit është dhënë në kundërshtim me ligjin nga KKT me propozim të Ministrit të Linjës Belinda Balluku. Ky dyshim përforcohet edhe më shumë pasi praktika të ngjashme janë evidente edhe tek vendimet nr 16 dhe nr 17 të datës 17.03.2021, të zbardhur në datë 24.06.2024 nga sekretarja e KKT Adelajda Roka.
Për vendimin nr 16, datë 17.03.2021 i zbardhur në datë 24.06.2024, që është kallëzuar për punime pa leje nga OST-ja, “Vetting” i bëri një kërkesë për informacion Prokurorisë Tiranë në lidhje me kallëzimin dhe ecurinë e tij. Deri në publikimin e këtij materiali nuk kemi patur asnjë informacion nga Prokuroria e Tiranës.
Duket qartë që në këtë projekt apo dhe të tjera si ky, nuk është përmbushur detyrimi ligjor që përcakton vendimi 483, datë 17.06.2022, “Për Miratimin e Rregullës Teknike Për Kushtet Teknike dhe Garantimin e Sigurisë së Instalimeve Elektrike të Tensionit të Lartë, mbi 1 kV.
Dyshime përforcohen më shumë nga stakimi total, që i ndodhi gjysmës së Shqipërisë në 5 Janar, 2025, ora 17:30. Sipas të dhënave, shkak kryesor është çoroditja e skemës së transmetimit, duke keqfunksionuar me shumë linja jashtë pune dhe të stakuara.
Madje projekti i Unazës energjitike të Tirana Ring ende nuk ka përfunduar edhe pse kontratat janë firmosur në janar 2019 dhe punimet duhet të kishin përfunduar në korrik 2025, gjë e cila tregon mangësi në ushtrimin e përgjegjësive dhe menaxhimit të sektorit elektro-energjitik shqiptar.
Prej tetorit 2024, SPAK ka filluar zyrtarisht hetimet në sektorin e energjisë elektrike për kompanitë publike në këtë sektor, pa specifikuar emrat e kompanive, por deri më sot nuk ka asnjë person të pandehur zyrtarisht.
and then