Aksioni i opozitës/ Stafa: Secila parti në llogoren e saj. Shehaj: Po mendojmë një protestë, PD-së nuk kemi si t’i themi se…

Shehaj dhe Stafa diskutojnë për bashkimin e opozitës dhe mundësinë e protestave: “Po vlerësohet një protestë në Tiranë”

Në studion e emisionit “Kjo Javë” në News24, gazetari Osman Stafa dhe kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, folën mbi gjendjen e opozitës dhe mundësinë e një proteste kundër qeverisë.

Stafa u shpreh skeptik për një bashkim të opozitës, duke theksuar se secila parti po vepron në “llogoren e saj”.

“Nuk mendoj se mes opozitës mund të ketë pika të përbashkëta sepse të gjithë kanë llogoren e tyre. Kisha shpresë që partitë e reja, edhe pse kanë dallime, të gjenin disa pika takimi për të zhvilluar një protestë,” tha ai.

Në reagim, Shehaj kujtoi se Partia Mundësia është e vetmja forcë politike që ka organizuar protesta në mbështetje të SPAK dhe kundër korrupsionit.

“Ne kemi bërë një protestë në mbështetje të SPAK dhe kundër korrupsionit në prill ose mars. Kemi protestuar para Kryeministrisë, dhe së fundmi bëmë një protestë të shpejtë,” tha Shehaj.

Ai konfirmoi se po vlerësohet mundësia për një protestë të re në Tiranë, ndërsa theksoi se bashkëpunimi me PD-në për një kauzë të tillë mbetet i vështirë.

“Po shqyrtojmë mundësinë për një protestë. Por si t’i them PD-së ‘hajde të bëjmë një protestë’, kur ata e quajnë SPAK-un organizatë kriminale? Ne kemi filluar diskutimet, por duhen organizim dhe koordinim.”

Megjithatë, Shehaj nuk e përjashtoi bashkëpunimin e opozitës në të ardhmen dhe as mundësinë e një proteste të madhe në kryeqytet.

“Nuk e përjashtoj një protestë në Tiranë. Jemi një parti e re dhe bëjmë betejat tona, por jemi të hapur për opsione,” përfundoi ai.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×