
Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, i ftuar në studion e emisionit “Kjo Javë” në News24, ka folur për skenarin e protestës kombëtare të thirrur nga PD ditën e hënë, si edhe për dosjen e SPAK ndaj zv/kryeministres Belinda Balluku.
Sipas Balliut, protesta do të jetë një “përballje”, duke e cilësuar qeverinë si të “kapur në krim”. Ai u shpreh se, në këndvështrimin e tij, një qeveri e tillë bën gjithçka për të qëndruar në pushtet dhe nuk është në gjendje të organizojë zgjedhje të lira, ndaj kërkohet ndërtimi i një qeverie teknike.
“Ne nuk përjashtojmë as qëndresën. Do të organizojmë sërish protesta nëse nuk kuptohet se duhet të largohen. Ndryshe nga herët e tjera, PD dhe opozita nuk përjashtojnë absolutisht asnjë lloj aksioni për t’i larguar”, deklaroi Balliu, duke shtuar se opozita, sipas tij, ndodhet në të drejtën legjitime për të larguar nga institucionet shtetërore ata që i cilësoi si “koordinatorë të krimit”.
Deputeti i PD akuzoi gjithashtu për abuzime financiare në tendera, duke pretenduar se janë vjedhur rreth 700 milionë euro përmes AKSHI-t, ndërsa informacionet, sipas tij, u janë dhënë grupeve kriminale. Balliu theksoi se përgjegjësinë kryesore e mban kryeministri Edi Rama, duke shtuar se është e pabesueshme që ai të mos ketë dijeni për këto çështje.
Në lidhje me dosjen e SPAK për zv/kryeministren Belinda Balluku, Balliu deklaroi se po tentohet prishja e provave dhe ushtrimi i presionit ndaj dëshmitarëve. Ai pretendoi se në dosje përmendet edhe kryeministri Rama, me fragmente që kanë dalë në publik, dhe se diskutohet për ekzistencën e dhjetëra mesazheve mes tij dhe ish-kreut të ARRSH, Evis Berberi.
“Kjo është një situatë e paprecedentë. Kjo nuk ka ndodhur kurrë”, përfundoi Balliu.
and then