
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, i ftuar në emisionin “Studio24” në News24, komentoi zhvillimet e fundit politike në vend dhe veprimtarinë e opozitës në përgjigje të skandaleve të qeverisë. Ai u ndal veçanërisht te protesta kombëtare e djeshme e PD-së.
Sipas Nokës, protesta e djeshme ishte një ditë historike për opozitën dhe demokracinë në vend. “Ka qenë një pikë kthese në politikën e vendit. Prej kaq kohësh flitet për abuzime dhe opozita ka akuzuar mazhorancën për zhytje në korrupsion dhe krim të organizuar. Pas çdo ngjarjeje kriminale ka punonjës të policisë; as SPAK vetë nuk i beson policisë. Të gjitha këto thënë nga opozita, mund të shiheshin me skepticizëm nga publiku, ndërsa tani po dalin të gjitha faktet nga drejtësia,” tha ai.
Flamur Noka theksoi se opozita ka besuar gjithmonë te drejtësia, por kur drejtësia merret me opozitën dhe jo me abuzimet e qeverisë, situata bëhet problematike. “Po dalin tenderat, koncesionet, mesazhet. Kjo tregon atë që kemi thënë ne: që prej 13 vitesh Rama dhe qeveria e tij nuk kanë qeverisur, por i janë turrur buxhetit si pushtuesi pas plaçkës. Vetëm vjedhje kanë bërë. Nuk mundet më të thotë kush ‘kumbulla pas shpine’. Kjo është bërë modë në çdo institucion të qeverisë,” shtoi Noka.
Ai theksoi se qytetarët shqiptarë reaguan dje në protestë duke treguar besimin e tyre tek opozita.
“Rama nuk është më mazhoranca, mund të mbajë veten me kartona, por populli dje foli. Sot çdo qytetar i këtij vendi e ka parë dhe ndihet i vjedhur, kanë parë dhe kuptuar që këtu qeverisin kartelet dhe mes tyre dhe Edi Rama. Ergys Agasi koordinon, ai ndërron tenderat duke i bërë nga 2 mln euro në 4 mln euro, etj. Dje populli që vërshoi në Bulevard tha se sekti i Rilindjes është më i rrezikshmi që ka shkelur në trojet shqiptare,” përfundoi Noka.
Protesta e djeshme u konsiderua nga PD si një mesazh i qartë i qytetarëve për kërkesën e transparencës dhe llogaridhënies nga qeveria, ndërsa opozita ka premtuar vijimin e veprimtarisë së saj për të ekspozuar abuzimet dhe korrupsionin e supozuar të mazhorancës.
and then