“SHBA paralajmëron goditje ndaj korrupsionit në Shqipëri”, PL: Siguria kombëtare ndodhet në duart e Ergys Agasit dhe karteleve të drogës!

Partia e Lirisë lëshoi akuza në drejtim të qeverisë Rama sa i takon skandaleve tek AKSHI. Në një dalje për mediat, zëdhënësja e Partisë së Lirisë, Jasmira Memelli, deklaroi sot se Shqipëria, edhe pse anëtare e NATO-s, po mbahet peng nga mafia dhe lidhjet e saj me pushtetin politik, duke futur vendin në një spirale shkatërrimi, varfërie dhe kriminaliteti në rritje.

Memelli theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndërmarrë veprime për të goditur këtë sistem të kriminalizuar, duke dhënë udhëzime për Prokurorinë e Posaçme (SPAK) për të fokusuar hetimet te investitorët strategjikë, kontratat e inceneratorëve. Zëdhënësja paralajmëroi se afati 90-ditor, që përfundon në mars 2026, shënon një ndryshim rrënjësor të qasjes së SHBA, duke kaluar nga sanksionimi i individëve tek çmontimi i rrjeteve financiare dhe kriminale që mbështesin korrupsionin.

Memelli theksoi se Partia e Lirisë ka 5 prioritetet madhore për të transformuar Shqipërinë në një fuqi prodhuese dhe eksportuese, ku qytetarët do të jetojnë në mirëqenie dhe siguri.

DEKLARATA
Sot Shqipëria edhe pse një vend anëtar i NATO-s është marrë peng nga mafia, ku çdo zyrë e shtetit funksionon nën urdhrat e krimit dhe ku siguria kombëtare ndodhet në duart e Ergys Agasit dhe karteleve të drogës.
Ky bashkim i pushtetit politik me krimin ka krijuar një mekanizëm ku paratë e paligjshme financojnë vjedhjen e zgjedhjeve dhe ku bandat pengojnë rotacionin politik sepse pushteti u garanton paprekshmërinë, duke e futur vendin në një spirale shkatërrimi, varfërie, vjedhje, kriminalitet në rritje dhe shpopullimi masiv.
Në këto kushte, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndërmarrë një veprim të paprecedentë dhe të sinjalizuar për të goditur këtë sistem të kriminalizuar që ka kapur për fyti shtetin dhe drejtësinë.
Partnerët strategjikë, i kanë treguar rrugën Prokurorisë së Posaçme (SPAK), duke i vënë në dukje pikat nevralgjike ku duhet të përqendrohen hetimet, duke ndjekur parimin universal “ndiq paranë”. Në shënjestrën e drejtësisë, sipas udhëzimeve, duhet të jenë investitorët strategjikë, kontratat e bujshme të inceneratorëve, abuzimet me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), si dhe kullat e larta që po ngrihen në Tiranë.
Mesazhi për SPAK është i prerë: ose do të godasë kokat e këtij sistemi, ose prokurorët do të përfundojnë vetë në bankën e të akuzuarve bashkë me ta. Afati kohor i vendosur është i shkurtër dhe presioni është i madh.
Miratimi nga Kongresi Amerikan i Aktit të Demokracisë dhe Prosperitetit të Ballkanit Perëndimor dhe afati 90-ditor që përfundon në mars 2026, shënojnë një ndryshim rrënjësor të qasjes së Shteteve të Bashkuara:
nga sanksionimi i politikanëve individualë,
te çmontimi i plotë i rrjeteve financiare, ekonomike dhe kriminale që i mbështesin ata.
Këto masa pritet të synojnë mundësuesit ekonomikë, figurat e biznesit, ndërmjetësit financiarë dhe kompanitë që kanë ushqyer korrupsionin dhe kanë shtrembëruar konkurrencën në treg.
Ky proces përbën një plan veprimi të qartë për SPAK-un, kalimin nga ngrirja formale e aseteve,
te arrestime të nivelit të lartë, duke “pastruar” tregun dhe institucionet përpara zgjedhjeve të vitit 2027.
Rishikimi 90-ditor i Departamentit të Shtetit synon sektorët ku fluksi i “parave gri” është më i lartë:
1. Infrastruktura Teknologjike dhe Dixhitale: Fokusimi te kontraktorët e AKSHI-t dhe “taksa e korrupsionit” në shërbimet dixhitale shtetërore. 2. Pasuri të Paluajtshme dhe Ndërtim: Shqyrtimi i zhvillimeve luksoze bregdetare dhe kullave të larta në Tiranë.

3. Energjia dhe Shërbimet: Mbikëqyrja e korporatave shtetërore të energjisë (KESH, OST) dhe koncesioneve të energjisë së rinovueshme.

4. Partneritetet Publiko-Private (PPP): Auditimi i kontratave të menaxhimit të mbetjeve dhe infrastrukturës.

5. Bankat dhe Financat: Monitorimi i bankave lokale për t’u siguruar që ato i ndërpresin lidhjet me “mundësuesit” e sanksionuar rishtazi.

6. Turizmi Strategjik: Rishikimi i projekteve të cilave u është dhënë statusi “strategjik” përmes favorizimit politik.

Edi Rama dhe Narkoqeveria nuk mund të fshihen më.
Shqipëria nuk mund të ecë drejt Europës me një ekonomi të kapur, institucione të komprometuara dhe treg të kontrolluar nga pakica e lidhur me pushtetin.
Afati 90-ditor nuk është thjesht teknik.
Është një paralajmërim politik dhe institucional.
Ose shteti çlirohet nga rrjetet kriminale,
ose ato do të shemben, me pasoja të rënda për stabilitetin politik dhe ekonomik të vendit.
Koha e pandëshkueshmërisë po mbaron dhe kjo është një e vërtetë që askush nuk mund ta injorojë më.
Shqiptarët e ndershëm dhe patriotë janë çuar në këmbë dhe asgjë nuk e ndal vendosmërinë e tyre për përballje deri në shembjen e këtij regjimi të kalbur.
Me 5 Prioritetet madhore të Partisë së Lirisë për 4 milion shqiptarë plus, Shqipëria do të shndërrohen në një fuqi prodhuese dhe eksportuese, ku të gjithë shqiptarët do të jetojnë në mirëqenie dhe siguri për të ndërtuar të ardhmen që meritojnë.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×