
Gazetari Osman Stafa, i ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, ka folur për nismën humanitare të fundvitit “Po të vjen një kartolinë”, e iniciuar prej tij dhe një grupi të vogël vullnetarësh, e cila synon të sjellë gëzim te fëmijët në zonat më të largëta dhe më pak të përfshira në atmosferën festive.
Stafa tregoi se ky është viti i gjashtë radhazi që organizohet kjo nismë, gjatë së cilës grupi i vullnetarëve udhëton në fshatra të ndryshme të Shqipërisë për të shpërndarë dhurata dhe kartolina për fëmijët. “Shkojmë atje ku janë ata që e përjetojnë më pak atmosferën e festave, për t’u çuar sadopak gëzim,” u shpreh ai.
Sipas gazetarit, në shumë raste bëhet fjalë për shkolla ku, siç tregojnë vetë mësuesit, nuk ka ndodhur kurrë më parë që fëmijët të marrin dhurata gjatë festave të fundvitit. “Ne i identifikojmë fshatrat përmes kontakteve që kemi në të gjithë vendin dhe kemi një kapacitet prej rreth 2 mijë dhuratash,” tha Stafa, duke theksuar se nisma nuk është as fondacion dhe as shoqatë, por një angazhim vullnetar i disa individëve.
Ai shpjegoi se puna përgatitore nis që në muajin tetor, me identifikimin e zonave dhe përgatitjen e platformës online. Pas mbledhjes së të dhënave për fëmijët, përgatiten dhuratat, ndërsa qytetarët që kontribuojnë shkruajnë edhe kartolina personale, të cilat shoqërojnë çdo dhuratë.
“Çdo dhuratë ka një mesazh, një kartolinë të shkruar nga ata që dhurojnë, dhe kjo e bën nismën edhe më të veçantë,” theksoi Stafa, duke shtuar se puna vijon çdo ditë deri në përfundimin e shpërndarjes së dhuratave.
Nisma “Po të vjen një kartolinë” është kthyer ndër vite në një shembull solidariteti dhe përkushtimi, duke sjellë buzëqeshje dhe emocione te fëmijët në mbarë Shqipërinë gjatë festave të fundvitit.
and then