Të diskriminuar dhe me shëndet të dobët mendor! Emigrantët kthehen, por Shqipëria nuk i mban, riintegrimi i vështirë

Numri i emigrantëve të rikthyer pas pandemisë është rritur, por gjithashtu edhe kushtet për riintegrimin janë përkeqësuar. Anketa e Emigracionit që u zhvillua nga INSTAT vitin e kaluar zbuloi se gati 108 mijë persona janë rikthyer gjatë 2012–2024, teksa 45% e tyre erdhën pas pandemisë. Aksesi i të kthyerve në punësim dhe në shërbime është përkeqësuar në krahasim me periudhat paraardhëse, duke bërë që synimet për riemigrim të jenë më të larta krahasuar me ata që nuk kanë emigruar. 13% e emigrantëve të kthyer po bëhen gati të ikin brenda vitit krahasuar me një nivel pothuajse të papërfillshëm prej 1% tek jo-emigrantët. Profili i ri i emigracionit

 

Ka një tendencë në rritje të rikthimit të emigrantëve pas pandemisë, por nga ana tjetër, kushtet e integrimit të tyre janë vështirësuar edhe më shumë, sidomos pas pandemisë, sipas të dhënave të fundit nga Anketa e Emigracionit që u zhvillua nga INSTAT vitin e kaluar, të cilat u publikuan së fundmi.

Shqipëria në këtë mënyrë po vret, për së dyti, shpresën e të rikthyerve, teksa në vendet e tjera të Ballkanit si Rumania, Bullgaria dhe Serbia, kthimet po tejkalojnë largimet.

Anketa zbuloi se gati 108 mijë persona janë rikthyer gjatë 2012–2024. Pjesa më e madhe, rreth 45%, u rikthyen gjatë 2020–2024. Në periudhat më të hershme, pesha e të kthyerve ka qenë më e ulët, me vetëm 10–19% të rikthyer në çdo interval pesëvjeçar ndërmjet viteve 2000 dhe 2019.

Emigrantët që u kthyen para kohe dhe jo me dëshirë përbëjnë 67% të të gjithë të rikthyerve dhe karakterizohen nga dominimi i fortë i meshkujve.

Anketa zbuloi se kthimet e parakohshme lidhen më shpesh me humbjen e vendit të punës, mungesën e mundësive dhe probleme administrative në vendin pritës, ndërsa kthimet e planifikuara shoqërohen më tepër me përfundimin e kontratave të punës dhe arritjen e objektivave financiare.

Arsyet familjare mbeten një faktor i rëndësishëm për të dy grupet, megjithëse janë pak më të shpeshta tek ata që janë kthyer para kohe.

Në total, 28% e të gjithë emigrantëve të kthyer raportojnë arsyet familjare si motivin kryesor për rikthimin në Shqipëri. Kjo përqindje rritet në 31% tek ata që u kthyen para kohe dhe mbetet e lartë, në 23%, edhe tek ata që nuk u kthyen para kohe.

Arsyet e kthimit ndryshojnë ndjeshëm mes dy grupeve. Emigrantët që u kthyen para kohe kanë më shumë gjasa të përmendin faktorë të pavullnetshëm, si largimi nga puna nga punëdhënësi ose pamundësia për të gjetur punë (10%).

Ndërsa ata që qëndruan më gjatë jashtë vendit u kthyen më shumë për shkak të përfundimit të punës sezonale ose kontratës, apo sepse kishin arritur të fitonin dhe kursenin mjaftueshëm para (6%).

Përkeqësohet riintegrimi i të kthyerve pas pandemisë

Në afatmesëm, emigrantët e kthyer priren të integrohen relativisht mirë në tregun shqiptar të punës, duke shfaqur norma punësimi më të larta sesa personat që nuk kanë emigruar, megjithëse ata që janë kthyer më së fundmi përballen me vështirësi më të mëdha.

Anketa zbuloi se normat e punësimit janë dukshëm më të ulëta për emigrantët e kthyer rishtazi. Ata që u kthyen gjatë periudhës 2000–2004 kanë normën më të lartë të punësimit, në 93%. Kjo normë bie gradualisht për grupet e mëvonshme, në 60% për periudhën 2005–2009, 65% për 2010–2014 dhe 53% për 2015–2019.

Norma më e ulët e punësimit, 46%, vërehet tek emigrantët e kthyer në periudhën 2020–2024, duke treguar sfida më të mëdha për riintegrimin afatshkurtër në tregun e punës.

Edhe pse emigrantët e kthyer kanë të drejtë të përfitojnë shërbime mbështetëse për riintegrim, kryesisht përmes Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, përdorimi i këtyre shërbimeve mbetet i kufizuar dhe shpesh nuk është i përshtatur me nevojat specifike të grupeve të ndryshme të emigrantëve të kthyer, veçanërisht të atyre që janë rikthyer me detyrim pas refuzimit të kërkesave për azil.

Meshkujt e kthyer shfaqin norma relativisht të larta punësimi (67%), më të larta se meshkujt jo-emigrantë (59%), duke sugjeruar se përvoja migratore mund t’u japë atyre një avantazh të lehtë në tregun e punës pas kthimit.

Në të kundërt, gratë e kthyera kanë norma më të ulëta punësimi (34%), të ngjashme me ato të grave jo-emigrante (36%), çka tregon se migrimi nuk përkthehet domosdoshmërisht në përmirësim të rezultateve të punësimit për gratë.

Analizat tregojnë se në afatshkurtër emigrantët e kthyer kanë më pak gjasa të jenë të punësuar krahasuar me jo-emigrantët, por kjo situatë përmirësohet me kalimin e kohës.

Ata që janë kthyer prej më pak se një viti kanë 22 pikë përqindjeje më pak gjasa të jenë të punësuar, ndërsa pas 6–10 vitesh nga kthimi, probabiliteti i punësimit bëhet 7 pikë përqindjeje më i lartë se te jo-emigrantët, duke sugjeruar se përfitimet nga përvoja migratore materializohen gradualisht.

Ka një tendencë në rritje të rikthimit të emigrantëve pas pandemisë, por nga ana tjetër, kushtet e integrimit të tyre janë vështirësuar edhe më shumë, sidomos pas pandemisë, sipas të dhënave të fundit nga Anketa e Emigracionit që u zhvillua nga INSTAT vitin e kaluar, të cilat u publikuan së fundmi.

Shqipëria në këtë mënyrë po vret për së dyti shpresën e të rikthyerve, teksa në vendet e tjera të Ballkanit si Rumania, Bullgaria dhe Serbia kthimet po tejkalojnë largimet.

Anketa zbuloi se gati 108 mijë persona janë rikthyer gjatë 2012–2024. Pjesa më e madhe, rreth 45%, u rikthyen gjatë 2020–2024. Në periudhat më të hershme, pesha e të kthyerve ka qenë më e ulët, me vetëm 10–19% të rikthyer në çdo interval pesëvjeçar ndërmjet viteve 2000 dhe 2019.

Emigrantët që u kthyen para kohe dhe jo me dëshirë përbëjnë 67% të të gjithë rikthyerve dhe karakterizohen nga një dominim i fortë i meshkujve.

Anketa zbuloi se kthimet e parakohshme lidhen më shpesh me humbjen e vendit të punës, mungesën e mundësive dhe probleme administrative në vendin pritës, ndërsa kthimet e planifikuara shoqërohen më tepër me përfundimin e kontratave të punës dhe arritjen e objektivave financiare.

Arsyet familjare mbeten një faktor i rëndësishëm për të dy grupet, megjithëse janë pak më të shpeshta tek ata që janë kthyer para kohe. Në total, 28% e të gjithë emigrantëve të kthyer raportojnë arsyet familjare si motivin kryesor për rikthimin në Shqipëri.

Kjo përqindje rritet në 31% tek ata që u kthyen para kohe dhe mbetet e lartë, në 23%, edhe tek ata që nuk u kthyen para kohe.

Arsyet e kthimit ndryshojnë ndjeshëm mes dy grupeve. Emigrantët që u kthyen para kohe kanë më shumë gjasa të përmendin faktorë të pavullnetshëm, si largimi nga puna nga punëdhënësi ose pamundësia për të gjetur punë (10%).

Ndërsa ata që qëndruan më gjatë jashtë vendit u kthyen më shumë për shkak të përfundimit të punës sezonale ose kontratës apo sepse kishin arritur të fitonin dhe kursenin mjaftueshëm para (6%).

Të rikthyer, tranzicion i fortë profesional

Emigrantët e kthyer shpesh përjetojnë ndryshime në profesion dhe sektor pas rikthimit në Shqipëri.

Ata që janë kthyer para kohe shfaqin luhatje më të theksuara. Këta të fundit kanë më shumë gjasa të përjetojnë ndërprerje në trajektoren e tyre profesionale, me përputhje më të dobët midis punës që kanë pasur jashtë vendit dhe asaj që gjejnë pas kthimit.

Ndër emigrantët që nuk janë kthyer para kohe, rreth 42% janë rikthyer për të punuar në një sektor të ndryshëm nga ai ku ishin të punësuar jashtë, ndërsa 43% kanë kaluar në një profesion tjetër, duke treguar tranzicione ose ndërprerje relativisht të shpeshta.

Vetëm 9% e emigrantëve që nuk u kthyen para kohe raportojnë se kanë pasur punë me nivel më të lartë aftësish jashtë sesa pas kthimit, ndërsa kjo përqindje bie në vetëm 2% tek ata që u kthyen para kohe.

Rreth 83% e meshkujve të kthyer dhe 76% e grave të kthyera raportojnë se kanë kontratë të shkruar, krahasuar me 83% të meshkujve dhe 86% të grave jo-emigrante.

Vetëpunësimi, zgjidhja fillestare

Pesha e emigrantëve të kthyer që janë të vetëpunësuar është rritur ndjeshëm deri në vitin 2014, qoftë si rezultat i rritjes së kapaciteteve sipërmarrëse, qoftë për shkak të vështirësive në aksesin ndaj punësimit formal, por kjo prirje ka mbetur relativisht e qëndrueshme më pas.

Në përgjithësi, vetëpunësimi ka kaluar nga një strategji periferike riintegrimi në një element të rëndësishëm të përvojës së emigrantëve të kthyer, veçanërisht pas vitit 2010.

Pesha e të vetëpunësuarve rritet nga vetëm 7% e atyre që u kthyen në periudhën 2000–2004, në 22% për 2005–2009, duke arritur kulmin në 34% për grupin 2010–2014 dhe duke u stabilizuar rreth 29% për kohortat më të fundit (2015–2024).

Kjo prirje sugjeron se emigrantët e kthyer më rishtazi po i drejtohen gjithnjë e më shumë vetëpunësimit si një rrugë për riintegrim ekonomik, si një mundësi, por edhe si domosdoshmëri.

Nga njëra anë, emigrantët e rinj të kthyer mund të sjellin ide të reja, aftësi të përmirësuara, kursime të akumuluara dhe rrjete më të gjera, duke forcuar potencialin sipërmarrës. Shumë prej tyre përballen me barriera për t’u riintegruar në punësim të paguar formal dhe, për rrjedhojë, e shohin vetëpunësimin si alternativën e vetme.

Të dhënat tregojnë se emigrantët e kthyer më së fundmi kanë më pak gjasa të jenë të punësuar në përgjithësi, por më shumë gjasa të jenë të vetëpunësuar krahasuar me ata që janë kthyer më herët.

Me kalimin e kohës, ky model përmbyset, pesha e vetëpunësimit bie dhe punësimi me pagë rritet, duke treguar një integrim gradual në tregun formal të punës.

Vetëpunësimi përbën një strategji të rëndësishme ekonomike, veçanërisht për emigrantët e kthyer para kohe dhe për gratë. Ndërsa normat e përgjithshme të punësimit shfaqin dallime të theksuara gjinore, diferencat midis burrave dhe grave në vetëpunësim janë shumë më të vogla.

Aktivitetet sipërmarrëse mund të ofrojnë një alternativë më të barabartë, duke reduktuar pabarazitë gjinore në tregun e punës për emigrantët e kthyer.

Ndër të gjithë emigrantët e kthyer të punësuar, 25% e meshkujve dhe 21% e grave janë të vetëpunësuar. Te emigrantët që u kthyen para kohe, hendeku gjinor përmbyset: 41% e grave janë të vetëpunësuara, krahasuar me 25% të meshkujve.

Evidenca e mëparshme ka treguar se gratë shqiptare të kthyera, veçanërisht ato me qëndrime më të shkurtra jashtë vendit, përballen me barriera të konsiderueshme në punësimin me pagë, çka i shtyn drejt vetëpunësimit si një zgjedhje e detyruar. Në të kundërt, te emigrantët që nuk u kthyen para kohe, vetëpunësimi është më i ulët (19% për meshkujt dhe 10% për gratë).

Jo-emigrantët shfaqin një normë pak më të lartë vetëpunësimi (28%) krahasuar me emigrantët e kthyer (24%).

Po ashtu, meshkujt jo-emigrantë kanë norma më të larta vetëpunësimi sesa meshkujt e kthyer, ndërsa për gratë, normat janë të ngjashme, duke treguar se vetëpunësimi është tashmë një strategji e përhapur edhe në popullsinë vendase.

Ndër emigrantët e kthyer të vetëpunësuar, shumica dërrmuese operojnë pa punonjës të paguar, duke kufizuar potencialin e krijimit të vendeve të reja të punës.

Vetëm një pjesë shumë e vogël e emigrantëve të kthyer raportojnë se janë punëdhënës me punonjës të paguar (7% dhe 9% përkatësisht), ndërsa puna familjare kontribuuese është pothuajse e papërfillshme.

Kjo tregon se vetëpunësimi i emigrantëve të kthyer ka shfaqur potencial të kufizuar për zgjerim të biznesit, ndoshta për shkak të mungesës së kapitalit, aksesit të kufizuar në kredi ose vështirësive në orientimin në mjedisin e biznesit pas kthimit.

Emigrantët e kthyer, të diskriminuar dhe shëndet të dobët mendor

Emigrantët e kthyer mund të përballen me barriera shtesë në procesin e riintegrimit në shoqërinë shqiptare, sipas rezultateve të anketës.

Disa prej tyre raportojnë ndjenja të përjashtimit dhe mospërputhje kulturore, të cilat prekin veçanërisht fëmijët.

Për disa grupe të emigrantëve të kthyer, sidomos ata që vijnë nga komunitete të margjinalizuara si pakicat rome dhe egjiptiane, stigma sociale dhe diskriminimi e vështirësojnë edhe më shumë përshtatjen me jetën në Shqipëri.

Diskutimet në grupe fokusi nxjerrin gjithashtu në pah shfaqjen e traumave psikologjike dhe problemeve të shëndetit mendor, veçanërisht tek emigrantët që janë detyruar të kthehen pas dëbimeve të papritura. Këto sfida mbeten kryesisht të paadresuara, duke krijuar boshllëk kritik në mirëqenien e tyre.

Aktualisht, mbledhja sistematike e të dhënave administrative mbi nevojat dhe rezultatet e riintegrimit të emigrantëve të kthyer mbetet e kufizuar.

Korniza ligjore ekzistuese nuk parashikon të drejta të qarta dhe mbështetje të standardizuar për riintegrimin e të gjithë emigrantëve të kthyer. Shërbimet që ofrohen janë shpesh të fragmentuara dhe janë evidentuar probleme të koordinimit ndërinstitucional.

Diskutimet në grupe fokusi theksojnë gjithashtu përdorimin e kufizuar të shërbimeve nga emigrantët e kthyer. Emigrantët më të cenueshëm kanë më shumë gjasa të përdorin shërbimet në dispozicion, si strehimi i përkohshëm, formimi profesional, mbështetja financiare ose ndihma emergjente nga qendrat komunitare.

Mbështetja psikologjike, kur është e disponueshme, ofrohet kryesisht nga organizata joqeveritare. Aksesi në shërbime shëndetësore cilësore mbetet një sfidë për emigrantët e kthyer dhe përmendet nga disa anëtarë të diasporës, si një faktor që ndikon në hezitimin për t’u rikthyer në Shqipëri.

Barriera strukturore, si mungesa e njohjes së dokumentacionit mjekësor të lëshuar jashtë vendit dhe kostot e përkthimit të dokumenteve, raportohen gjithashtu si pengesa të rëndësishme.

Disa emigrantë të intervistuar shprehin perceptime negative mbi kapacitetet e institucioneve për t’i mbështetur në procesin e riintegrimit.

Të rikthyerit planifikojnë të emigrojnë më shumë se të tjerët

Synimet për riemigrim janë më të larta krahasuar me bashkëmoshatarët e të rikthyerve që nuk kanë emigruar. Sipas anketës, rreth 13% e emigrantëve të kthyer shprehin plane për të jetuar sërish jashtë vendit gjatë 12 muajve të ardhshëm, krahasuar me një nivel pothuajse të papërfillshëm prej 1% tek jo-emigrantët.

Ndër ata që planifikojnë të emigrojnë, emigrantët e kthyer raportojnë një nivel më të lartë të përgatitjeve konkrete (42%) sesa jo-emigrantët (35%).

Për emigrantët e kthyer, format më të shpeshta të përgatitjes përfshijnë kërkimin e punës (16%), kontaktimin e miqve ose të njohurve në vendin e destinacionit (11%), si dhe përgatitjen e dokumentacionit ligjor (16%).

Ndërkohë, jo-emigrantët raportojnë nivele të ngjashme përgatitjeje në kërkimin e punës (17%), por priren dukshëm të mbajnë kontakte me persona jashtë vendit (46%), e cila përbën edhe formën më të përhapur të përgatitjes në këtë grup.

Për më tepër, jo-emigrantët shfaqin norma pak më të larta në plotësimin e dokumenteve ligjore (12%) dhe në blerjen e biletave (10%), krahasuar me emigrantët e kthyer.

Emigracioni thellohet, ikin të rinjtë

Me rreth 1.6 milionë shqiptarë që jetojnë jashtë vendit në 2024 dhe 108,503 persona që janë kthyer gjatë 12 viteve të fundit, migracioni formëson në mënyrë të thellë strukturën demografike, ekonomike dhe shoqërore të Shqipërisë.

Më shumë se një e treta e familjeve shqiptare kanë të paktën një anëtar që ka jetuar ose jeton aktualisht jashtë vendit, sipas rezultateve të anketës së emigracionit.

Migracioni shqiptar karakterizohet kryesisht nga punëtorë të rinj, meshkuj dhe me aftësi të mesme, që kërkojnë mundësi ekonomike jashtë vendit, me dallime të rëndësishme gjeografike brenda vendit.

Emigrantët aktualë janë të përqendruar kryesisht në grupmoshën 25–44 vjeç, duke reflektuar motivimet ekonomike që nxisin vendimet për migrim. Gati tre të katërtat e emigrantëve janë meshkuj, me pabarazi gjinore veçanërisht të theksuara në destinacionet europiane si Mbretëria e Bashkuar, Greqia dhe Gjermania.

Me më shumë se dy të tretat e emigrantëve që kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë. Përbërja arsimore ndryshon ndjeshëm sipas vendit të destinacionit.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës pranojnë emigrantët më të arsimuar (gati një e treta me arsim të lartë), të ndjekura nga Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar, ndërsa vetëm 5% e shqiptarëve në Greqi kanë përfunduar arsimin e lartë.

Përvojat dhe përgatitja para nisjes

Anketa e emigracionit ka evidentuar se para largimit, emigrantët zakonisht punojnë në profesione me aftësi më të ulëta krahasuar me jo-migrantët, duke fituar rreth 10% më pak.

Normat e punësimit të emigrantëve bien ndjeshëm ndërsa afrohet momenti i nisjes. Tre muaj para migrimit, tre nga katër emigrantë të ardhshëm në moshë pune janë të punësuar, por kjo shifër bie ndjeshëm në 9% në muajin e fundit në Shqipëri.

Krahasuar me jo-migrantët, emigrantët e ardhshëm kanë më shumë gjasa të jenë të punësuar në punë me aftësi të ulëta ose të mesme përpara migrimit.

Ata zakonisht janë të angazhuar në “Punonjës Shërbimesh dhe Shitjesh” dhe “Punonjës të Zejeve dhe Profesioneve të Ngjashme”, ndërsa kanë më pak gjasa të mbajnë pozicione që kërkojnë aftësi si “Menaxherë”, “Profesionistë” dhe “Teknikë”.

Të ikurit kursejnë më pak se sa prisnin, të kthyerve nuk u tepron asgjë

Emigrantët që jetojnë jashtë prisnin të fitonin mesatarisht rreth 3,900 USD në muaj, por në realitet, të ardhurat e tyre reale janë vetëm pak më shumë se gjysma e kësaj shume (2,200 USD). Si rezultat, ata kursejnë ndjeshëm më pak gjatë qëndrimit jashtë vendit sesa kishin parashikuar përpara migrimit (450 USD kundrejt 1,270 USD të pritshme).

Gjetje të ngjashme vërehen edhe tek emigrantët që janë kthyer në Shqipëri. Hendeku midis pritshmërive dhe realitetit vazhdon në të gjitha gjinitë, nivelet arsimore dhe vendet e destinacionit, me Greqinë që shfaq hendekun më të thellë (52% mungesë në të ardhura, 69% mungesë në kursime).

Ky hendek përfaqëson një sfidë kritike për politikat publike, pasi tregon se emigrantët marrin vendime të rëndësishme migrimi mbi bazën e informacionit të papërsosur, gjë që mund të çojë në zgjedhje jo optimale.

Largimi bëhet në informalitet

Përdorimi i shërbimeve ligjore nga emigrantët para ikjes mbetet i kufizuar, ku shumica mbështeten në rrjete informale në vend të sistemeve të strukturuara të mbështetjes.

Vetëm një pakicë e emigrantëve të ardhshëm përdor shërbime formale për të mbështetur udhëtimin e tyre migrator, me të kthyerit që tregojnë angazhim veçanërisht të ulët: vetëm 5% kanë përdorur agjenci private punësimi dhe 2% kanë përdorur shërbime publike punësimi.

Një pakicë e emigrantëve largohen nga Shqipëria me një punë formale të siguruar. Sipas të dhënave të anketës, afërsisht dy të tretat largohen nga vendi pa një punë të sigurt, ndërsa 37% largohen me një marrëveshje formale punësimi.

Emigrantet femra kanë më shumë gjasa sesa homologët e tyre meshkuj të kenë siguruar marrëveshje punësimi, duke sugjeruar angazhim më të madh me kanale formale migrimi. Emigrantët e rinj të moshës 15–24 vjeç shfaqin normën më të lartë të marrëveshjeve para nisjes (51%), megjithëse këto norma bien me rritjen e moshës.

Emigrantët drejt Francës, Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar kanë më shumë gjasa të sigurojnë punësim para nisjes (41–44%), ndërsa ata që drejtohen drejt Italisë, Shteteve të Bashkuara dhe Greqisë shfaqin norma më të ulëta (21–27%).

Përvoja e migracionit

Emigrantët shqiptarë arrijnë përfitime të konsiderueshme të të ardhurave gjatë qëndrimit të tyre jashtë vendit. Sipas anketës, ata fitojnë mesatarisht 2.5 herë më shumë sesa fitonin përpara se të largoheshin dhe po kaq herë më shumë sesa bashkëmoshatarët e tyre që mbeten në Shqipëri.

Emigrantët meshkuj në moshë pune kanë gjithashtu gjasa dukshëm më të larta të jenë të punësuar sesa ata që jetojnë në Shqipëri. Në përgjithësi, emigracioni lidhet me të ardhura më të larta nga puna për shqiptarët jashtë vendit.

Megjithatë, emigrantët kanë një probabilitet më të lartë të punojnë në informalitet dhe kanë mbulim më të kufizuar nga mbrojtja sociale.

Për më tepër, 28% e emigrantëve të punësuar raportojnë se punëdhënësit e tyre nuk ofrojnë kontribute për sigurim pensioni ose leje vjetore të paguara. Informaliteti është më i pranishëm tek emigrantët më të rinj, me nivel më të ulët arsimor dhe ata që kanë mbërritur së fundmi.

Emigrantët shpesh punojnë në pozicione nën kualifikimet e tyre arsimore, pavarësisht se arrijnë të ardhura absolute më të larta. Një në tre emigrantë aktualë dhe pothuajse katër në pesë të kthyer me arsim të lartë punojnë në punë që kërkojnë kualifikime nën nivelin e arritjeve të tyre arsimore.

Emigrantët meshkuj punojnë kryesisht në sektorët e ndërtimit dhe punë manuale, me mbi 40% si marangozë ndërtimi dhe profesione të ngjashme, ndërsa emigrantet femra përqendrohen në pastrim shtëpiak (rreth 25%) dhe infermieri ose mami (17%).

Kostot e emigracionit 1,100 euro për person, 15% marrin kredi

Duke emigruar, shqiptarët nxjerrin jashtë vendit edhe vlera monetare që u duhen për mbulimin e kostove të largimit. Sipas të dhënave të anketës, emigrantët shqiptarë që jetojnë aktualisht jashtë vendit raportojnë kosto totale rreth 1,100 USD, që është e barabartë me dy muaj të një page mesatare.

Ndërkohë, kostot e kthimit në Shqipëri janë më të ulëta, rreth 370 USD.

Transporti mbetet shpenzimi më i madh, së bashku me kosto të tjera të rëndësishme, përfshirë tarifat e vizave, kontrollet mjekësore, sigurimet dhe, në disa raste, kurse orientimi.

Kursimet personale shërbejnë si burimi kryesor i financimit të emigrantëve, megjithëse disa mbështeten gjithashtu në ndihmë nga të afërm dhe miq (42 dhe 41% e emigrantëve aktualë).

Huamarrja për të financuar migracionin prek rreth 15% të emigrantëve në total, me norma më të larta ndër emigrantët më të rinj (25–29% për individët e moshës 15–34 vjeç) dhe ata me arsim të lartë (26%).

Shpenzimet mujore të larta jashtë vendit (rreth 1,300–1,600 USD) e reduktojnë më tej potencialin e kursimit, me më shumë se 25% të emigrantëve të kthyer që nuk kanë qenë në gjendje të kursejnë asnjë para deri në momentin e kthimit në Shqipëri./ Monitor



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×