“Gazetarët u intimiduan nga zyrtarë të lartë”/ Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë: Goditja ndaj ‘Fokus Media Group’, ndër sulmet më të rënda të medias së lirë

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë nëpërmjet një deklarate ka bërë një panoramë të zhvillimeve të këtij viti. AGSH kujton goditjen ndaj Focus Media Group, ishte një ndër sulmet më të rënda të medias së lirë.

Megjithatë pavarësisht goditjeve që mori, brenda pak ditësh u ndërtuan redaksi të reja si për të treguar se fjala e lirë do ta gjejë rrugën e saj në çdo kohë e situatë.

Gjithashtu gjatë këtij viti, AGSH ka dokumentuar raste të përsëritura të dhunës fizike dhe verbale ndaj gazetarëve në terren.

Reagimi i plotë:

Të nderuar gazetarë, redaktorë, kryeredaktorë, drejtorë informacioni, punonjës të medias dhe partnerë,

Teksa viti 2025 po mbyllet, Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ndjen detyrimin të ndajë me ju një pasqyrë të sinqertë të asaj që ka ndodhur ndër ne këtë vit.

Ky nuk është një bilanc formal dhe as një listë statistikash. Është një dëshmi për një vit të vështirë, të rëndë dhe shpeshherë të padrejtë për gazetarët dhe punonjësit e medias.

2025-a ishte një vit kur sulmi ndaj medias u bë i hapur, i përsëritur dhe u normalizua. Një vit kur gazetaria u trajtua jo si një shtyllë e demokracisë, por si një pengesë për pushtetin. Një vit kur pyetja u konsiderua provokim, kritika u quajt armiqësi dhe raportimi i fakteve u etiketua si shantazh.

Një nga ngjarjet më domethënëse të sulmit ndaj mediave të këtij viti ishte goditja ndaj Fokus Media Group. Ky nuk ishte thjesht një konflikt pronësie, por një ndër sulmet më të rënda ndaj lirisë së medias. Godinat ku u shtonin aktivitetin një sërë mediash u bllokuan nga policia pa procedura të qarta ligjore dhe nën sfondin e një sulmi politik. Por ajo çfarë ndodhi me mediat e Fokus Media Grup është frymëzuese, ku brenda pak ditësh u ndërtuan redaksi të reja si për të treguar se fjala e lirë do ta gjejë rrugën e saj në çdo kohë e situatë.

Gjatë këtij viti, AGSH ka dokumentuar raste të përsëritura të dhunës fizike dhe verbale ndaj gazetarëve në terren. Gazetarë janë cënuar dhe kërcënuar gjatë raportimit nëpër protesta, aktivitete politike dhe institucione publike. Në disa raste, këto akte ndodhën në prani të forcave të rendit, pa asnjë reagim mbrojtës, duke krijuar ndjesinë e rrezikshme se dhuna ndaj medias tolerohet.

Po aq shqetësuese ishte pengimi sistematik i gazetarëve në institucione shtetërore. Gazetarëve iu ndalua hyrja në ambiente publike, iu mohua pjesëmarrja në aktivitete zyrtare dhe iu kufizua e drejta për të bërë pyetje, nën justifikime absurde dhe arbitrare. Këto veprime nuk ishin thjesht shkelje procedurale, por goditje direkte ndaj transparencës dhe të drejtës së publikut për t’u informuar.

Gjatë 2025-s, gazetarë u përballën edhe me intimidim të drejtpërdrejtë nga zyrtarë të lartë dhe politikanë. Etiketimet publike, gjuha përçmuese dhe sulmet personale ndaj gazetarëve krijuan një klimë armiqësore, ku sulmi ndaj medias u bë pjesë e diskursit politik të përditshëm. Kur kjo gjuhë vjen nga pushteti, ajo nuk mbetet thjesht fjalë ajo shndërrohet në nxitje për dhunë dhe presion. Në këtë panoramë, u bashkuan edhe segmente të forcave politike opozitare, duke e bërë situatën edhe me pesimiste.

Një tjetër dimension alarmant i këtij viti ishte rritja e kërcënimeve dhe sulmeve online. Gazetarë, veçanërisht gazetare gra, u përballën me fushata linçimi, gjuhë urrejtjeje dhe kërcënime serioze, përfshirë kërcënime me jetë.

Në mungesë të reagimit efektiv institucional, hapësira digjitale u kthye në një mjet frikësimi dhe presioni të vazhdueshëm.

Në disa raste, presioni ndaj gazetarëve mori formën e ndëshkimit ekonomik dhe censurës së heshtur. Largime nga puna, ndryshime kontratash dhe presion i brendshëm në redaksi u përdorën si mënyrë për të ndëshkuar raportimin kritik. Këto nuk janë raste që lënë gjurmë në letra zyrtare, por janë plagë reale në jetën profesionale të gazetarëve.

Të gjitha këto raste dëshmojnë se problemi i medias në Shqipëri nuk është sporadik. Ai është strukturor. Ai lidhet me mungesën e respektit për gazetarinë, me pandëshkueshmërinë e dhunuesve dhe me përpjekjen për ta nënshtruar median përmes frikës.

AGSH ka qenë pranë çdo gazetari gjatë këtij viti me reagime publike, me denoncime, me mbështetje dhe solidaritet profesional. Por asnjë reagim nuk mund ta zëvendësojë nevojën për institucione që mbrojnë realisht median dhe për një shoqëri që e kupton se pa gazetari të lirë nuk ka demokraci funksionale.

Në fund të këtij viti, mesazhi ynë është i qartë: Vetëm solidariteti mes nesh mund të ndërtojë një të ardhme më të mirë për të gjithë ne.

Duke ju uruar një vit sa më të mbarë, bordi i AGSH dëshiron festa të gëzuara për të gjithë ju.

Isa MYZYRAJ

Kryetar/chairperson

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë

Association of J



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×