
Agjencia ndërkombëtare e lajmeve Anadolu i ka kushtuar një reportazh lahutës dhe prodhimit të saj në Shqipëri, ku pasqyrohet puna e një prej artizanëve shqiptarë. Lahuta shqiptare është bërë pasuri botërore e UNESCO-s, pasi është shpallur zyrtarisht pasuri e trashëgimisë kulturore jomateriale për mbrojtje urgjente, ndërkohë vazhdon të tërheq vëmendjen e mediave ndërkombëtare.
Reportazhi i përgatitur nga gazetari Fatjon Cuka ka sjellë për publikun e huaj por edhe shqiptar, punën e artizanit Gjelosh Alia në punishten e tij. Ndër të tjera theksohet se në Shqipëri, mjeshtrit e prodhimit të lahutës janë të paktë, ku njëri prej tyre është edhe 70-vjeçari Alia, që prej disa dekadash punon në punishten e tij në Tiranë.
Ish-mësuesi i gjuhës dhe letërsisë shqipe, përveç profesionit të tij si mësues ka punuar edhe si artizan, duke prodhuar për gjysmëshekulli vegla muzikore popullore, si lahutën, çiftelinë, sharkinë dhe laurinë, por ai edhe luan me instrumentet popullore. Artizani Alia shprehet për agjencinë turke se për të lahuta është një himn që e ka shoqëruar popullin shqiptar brez pas brezi dhe e ka frymëzuar dhe shton se lahuta është bërë pjesë e pandashme e jetës së tij. Përveç punës së artizanit në prodhimin e lahutave shqiptare, pasqyrohet gjithashtu edhe përfshirja e lahutës në Listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s, për mbrojtje urgjente.
Zyrtarizimi i kësaj nisme të Shqipërisë, theksohet në artikullin e Agjencisë Anadolu, që është pasqyruar edhe në media të tjera ndërkombëtare, është konsideruar si një nga sukseset më domethënëse për identitetin kulturor shqiptar. Akademia e Shkencave e Shqipërisë, e vlerëson lahutën si një nga thesaret më të çmuara të identitetit kulturor shqiptar dhe sipas këtij institucioni u përfshi në UNESCO, pas një procesi të gjatë kërkimor, të udhëhequr nga një grup studiuesish të njohur shqiptarë.
ARTIKULLI
and then