“Personalisht nuk do kaloja në tunelin e Llogarasë”, inxhinieri Nazarko: Betoni mund të shembet nga ujërat, duhet studim i thelluar për sigurinë e tij

Inxhinieri Romeo Nazarko, i ftuar në studion e News24, ka ngritur shqetësime të forta mbi sigurinë e infrastrukturës rrugore në Shqipëri pas reshjeve të fundit, duke vënë para përgjegjësisë Ministrinë e Infrastrukturës nën drejtimin e Belinda Ballukut. Ai u ndal veçanërisht te Tuneli i Llogarasë, i inauguruar nga Balluku, e cila sipas tij është edhe zyrtarisht e pandehur nga SPAK.

Sipas Nazarkos, problemi kryesor nis që në fazën e studimeve gjeologjike. “Në shumicën e rasteve studimi gjeologjik nuk bëhet. Nëse do të ishte bërë, do të ishte përcaktuar nëse ka ujëra nëntokësore në këtë segment. Nëse do të konstatohej prania e tyre, gjurma e tunelit duhej devijuar për t’i shmangur, sepse ujërat nëntokësore bëhen shkak për shembjen e betonit,” u shpreh ai.

Ai shtoi se nga informacionet publike mbi kolaudimin e tunelit, situata është shqetësuese. “Nga sa kemi dëgjuar nga eksperti që e ka kolauduar këtë tunel, flitet se nuk ka hekur në strukturë. Duke parë që edhe me një ditë normale shiu ka probleme, ky tunel kërkon një studim të thelluar për sigurinë,” deklaroi Nazarko.

Në mënyrë personale, inxhinieri tha se nuk do ta përdorte tunelin. “Unë si inxhinier nuk do të kaloja. Do preferoja të përdorja rrugën e vjetër të Llogarasë sesa të futesha në një tunel të tillë. Duke parë edhe bisedat nga dosja e Ballukut dhe situatën në terren, do të tregoja shumë kujdes kur të udhëtoja në atë zonë,” theksoi ai.

Nazarko foli edhe për gjendjen e përgjithshme të rrugëve të ndërtuara vitet e fundit, duke përmendur Rrugën e Arbrit, segmentin Maliq–Lozhanë dhe Unazën e Burrelit. Sipas tij, shumë prej këtyre veprave janë bërë të pasigurta për shkak të shkeljes së kushteve teknike. “Inxhinieria nuk pyet për propagandë apo fjalime. Në momentin që shkel kushtet teknike, vepra bie,” tha ai.

Një nga arsyet kryesore, sipas Nazarkos, është nxitimi për t’i përfunduar rrugët para zgjedhjeve dhe për t’i inauguruar. “Kur hidhen shtresat para asfaltit pa u bërë ngjeshjet e nevojshme, rruga është e destinuar të dështojë,” u shpreh ai.

Inxhinieri theksoi se problemet e kolaudimit po dalin në pah vetëm falë natyrës. “Kur kompanitë e kolaudimit e bëjnë punën në mënyrë fiktive, e vetmja që i nxjerr zbuluar është natyra, përmes shirave dhe përmbytjeve,” përfundoi Nazarko.



Arena e Lajmit

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×