
Ish-deputeti Ervin Salianji ka vijuar ditën e sotme turin e takimeve me bazën e mbështetësve të Partisë Demokratike, duke u ndalur në qytetin e Lezhës, ku u zhvillua një takim me pjesëmarrje të gjerë të demokratëve dhe opozitarëve.
Në fjalën e tij përpara mbështetësve, Salianji theksoi se Lezha po jep një mesazh të qartë për vazhdimin deri në fund të kësaj nisme politike. “Lezha po tregon se kjo punë ka marrë rrugën e vet dhe do t’i shkojmë deri në fund pa asnjë diskutim. Është vendi i historisë, i qëndresës dhe i dinjitetit shqiptar,” u shpreh ai, duke shtuar se qyteti i jep frymë çdo demokrati dhe shpresë për ndryshim.
Salianji nënvizoi se takimet me demokratët në çdo cep të Shqipërisë do të vijojnë pa u ndalur, me synimin kryesor për ta bërë Partinë Demokratike fituese. Ai bëri thirrje për bashkimin e të gjithë demokratëve, pa dallime, pas 13 vitesh në opozitë, duke kërkuar lënien pas të ndasive dhe bashkimin e gjithë popullit opozitar rreth PD-së.
“Duhet të respektojmë mendimet tona dhe të bashkohemi si bashkëudhëtarë në këtë udhëtim politik të lodhshëm, por krenar,” tha Salianji, duke e cilësuar qeverinë aktuale si më të paaftën dhe më të korruptuarën në historinë e vendit.
Ai theksoi gjithashtu se salla e mbushur në Lezhë ka një peshë të veçantë politike, pasi sipas tij tregon qartë se demokratët, opozitarët dhe qytetarët shqiptarë duan ndryshim. Në fund, Salianji u ndal edhe te vështirësitë e përjetuara nga demokratët e Lezhës, duke përmendur si pasojat e qeverisjes aktuale, ashtu edhe gabimet e lidershipit të Partisë Demokratike, përfshirë mosmirënjohjen dhe përçarjet e brendshme.
and then