
Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj u bëri thirrje qytetarëve që të mblidhen nesër në ora 9:30 përballë Gjykatës Kushtetuese, në mbështetje të drejtësisë dhe luftës kundër korrupsionit.
Shehaj theksoi se vendimi që pritet të merret nesër, nëse një qeveritar i korruptuar mund të pezullohet nga detyra, është vendimtar për për të ardhmen e Shqipërisë dhe përballjen me pandëshkueshmërinë.
Shehaj akuzon qeverinë se po përpiqet të bllokojë drejtësinë dhe të mbajë në detyrë Belinda Ballukun, që është pezulluar me vendim gjykate.
“Unë mendoj se askush që kapet duke vjedhur nuk mund të vazhdojë të ushtrojë detyrën. Nëse edhe ti mendon kështu, eja nesër te Gjykata Kushtetuese.” – thotë Shehaj në thirrjen me video-mesazh në rrjetet sociale.
“Nesër ju pres të gjithëve këtu, përballë Gjykatës Kushtetuese. Të tregojmë mbështetje për drejtësinë dhe luftën kundër korrupsionit. Nesër këtu do të merret një vendim shumë i rëndësishëm që ka të bëjë me fatin e Shqipërisë, me fatin e luftës kundër korrupsionit në Shqipëri. Duan të shpëtojnë Belinda Ballukun, duan të shpëtojnë të korruptuarit. Duan të vazhdojnë të qëndrojnë në detyrë pavarësisht se ka një vendim gjykate që i pezullon dhe që i largon nga pushteti. Vendimi i nesërm do të jetë historik për Shqipërinë. Duhet të jemi të gjithë këtu të ngremë zërin dhe t’u tregojmë të korruptuarve që ne duam një Shqipëri ku sundon ligji. Ne i duam të korruptuarit para drejtësisë! Nesër, mos harroni duhet të jemi sa më shumë, në orën 9:30, përballë Gjykatës Kushtetuese.” – u shpreh Shehaj.
and then