
Deputeti i Partisë Demokratike, Ivi Kaso, ka reaguar ashpër për çështjen e mandatit të zv/kryeministres Belinda Balluku, për të cilën SPAK ka kërkuar arrestimin e saj, ndërsa lëshoi akuza në drejtim të kryeministrit Edi Rama se ka ushtruar presion politik dhe ka përdorur institucionet për ta mbrojtur atë.
Duke folur në programin e drekës në News24, Kaso tha se edhe çështja e dërgimit në Gjykatën Kushtetuese nuk është kërkuar nga ndonjë individ, por nga Këshilli i Ministrave, sipas tij, pas një tërheqjeje të Ramës përballë presionit të Ballukut.
“Rama u kthye pas kërcënimit të zv/kryeministres, mori rolin e avokatit të saj dhe vuri në lëvizje Gjykatën Kushtetuese, duke shfrytëzuar pushtetin”, u shpreh Kaso. Ai theksoi se masa e sigurisë e kërkuar nga SPAK mund të jetë arrest me burg ose arrest shtëpie, ndërsa kritikoi zvarritjen e procesit në Kuvend.
“Kaluan pesë javë dhe më në fund u thirr mbledhja, për t’u anuluar mëngjesin e së njëjtës ditë. Disa u njoftuan me email, disa me SMS apo telefon. Më pas u nxor një shkresë, një paçavure”, deklaroi deputeti demokrat. Kaso akuzoi drejtuesit e Kuvendit për trajtim selektiv të kërkesave, duke thënë se pesë kërkesa zyrtare të opozitës u injoruan, ndërsa kërkesa të anëtarëve të mazhorancës u morën parasysh.
“U hodhën në kosh pesë kërkesa të opozitës dhe u urdhërua Garda të mbyllte derën. A janë Taulant Balla dhe Çomo më të rëndësishëm?”, tha ai, duke e cilësuar drejtimin e Kuvendit si “të paqartë dhe të papërgjegjshëm”. Sipas Kasos, mesazhi politik është i qartë: “Rama ka urdhëruar që Kuvendi të shndërrohet në një mburojë për të korruptuarit, në shkelje të çdo tradite parlamentare.”
Deputeti demokrat shtoi se nuk ka asnjë precedent të rrezikshëm, pasi pezullimi nga detyra parashikohet nga Kodi i Procedurës Penale dhe se GJKKO, me kërkesë të SPAK, nuk ka kufizuar ekzekutivin në ushtrimin e kompetencave të tij. “Disa mendojnë se nëse Rama apo Balluku përfundojnë në burg, vendi kolapson. Kjo nuk është e vërtetë”, u shpreh ai.
Në fund, Kaso theksoi se tashmë çështja nuk mund t’i drejtohet më Gjykatës Kushtetuese, duke shtuar se kjo gjykatë duhet të japë një sinjal të qartë pavarësie. “E kuptoj presionin e politikës dhe të mazhorancës, por Kushtetuesja duhet të ngrihet në nivelin e rolit të saj kushtetues”, përfundoi Kaso.
and then